Konferenca: ,,Rruga përpara: Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe vendimarrjes së bazuar në evidencë”

Home/Projektet/Konferenca: ,,Rruga përpara: Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe vendimarrjes së bazuar në evidencë”

Konferenca: ,,Rruga përpara: Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe vendimarrjes së bazuar në evidencë”

Në kuadër të programit ,,Dialogu për politika”, i cili synon fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese në shkencat shoqërore në Kosovë, si dhe nxitjen e një dialogu të informuar në mes palëve të interesit, Qendra për Kurajo Politike (CPC) me mbështetjen e Programit për Promovimin e Hulumtimeve Rajonale në Ballkanin Perëndimor (RRPP), më 19 maj 2016 organizoi konferencën ,,Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe vendimarrjes së bazuar në evidencë”. 

Objektivat kryesore të kësaj konference një-ditore ishin që të:
1. Prezantoj dhe promovoj të arriturat përmes „Regional Research Promotion Program (RRPP) National Policy Dialogue” 2012 – 2016 në Kosovë;
2. Shqyrtoj mundësitë se si të vazhdoj lidhja në mes të rezultateve kërkimore relevante dhe proceseve të caktuara të vendimarrjes;
3. Nxitë debatin në bashkëpunimin me studiuesit Kosovar që veprojnë jashtë vendit;
4. Shqyrtoj perspektivat për vazhdimin e aktiviteteve të projektit „Dialogu për Politikat” që në mënyrë efektive të kontribuojnë në cilësinë e hulumtimit dhe kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, dhe në këtë mënyrë t’i shërbejnë zhvillimit të politikave dhe vendimarrjes të bazuar në evidencë.

Në konferencë u mblodhën së bashku rreth pesëdhjetë pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të: Ambasadës së Zvicrës në Kosovë; Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP); RRPP-së; të Universitetit të Friburgut; anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës; profesorë dhe hulumtues të universiteteve të Kosovës; ligjerues dhe hulumtues kosovar që veprojnë jashtë Kosovës; udhëheqës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT); si dhe përfaqësues të organizatave think-tank.

Fjala hyrëse

Anita Schlüchter Roth, Zëvendës-Ambasadorja zvicerane në Kosovë, përgjatë fjalës së saj hyrëse shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për përkrahjen e iniciativave që si pikësynim kanë zhvillimin dhe promovimin e hulumtimit shkencor në fushën e shkencave shoqërore, duke cilësuar se fuqizimi i hulumtimit të mirëfilltë shkencor reflekton në emancipim të përgjithshëm. Ajo theksoi se cilësia e ulët e sistemit arsimor dhe punës hulumtuese është trashëgimi e të kaluarës së vështirë në Kosovë mirëpo edhe nga mungesa e vëmendjes së kushtuar këtyre sektorëve viteve të fundit.

Prorektori për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha, u zotua se ngritja e kapaciteteve akademike por edhe financiare për nxitjen e hulumtimit shkencor është prioritet i menaxhmentit në të cilin ai bën pjesë. Për më shumë, ai kërkoi nga të pranishmit të kenë një qasje realiste për sa i përket pritshmërive lidhur me mundësitë e UP-ës për zhvillimin e projekteve hulumtuese konkuruese me vendet e tjera më të zhvilluara të botës.

Jasmina Opardija-Susnjar, menaxhere e RRPP, prezantoi kronologjikisht punën dhe të arriturat e programit në nxitjen dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore nga fusha e shkencave shoqërore në Kosovë. Ajo vuri theksin te rëndësia e qasjes dhe bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkimeve duke shprehur se mundëson bashkëpunimin dhe rrjetëzimin mes hulumtuesve për interesime të përbashkëta, mundëson shkëmbimin e burimeve, rritë suksesin në pjesëmarrjen në programet ndërkombëtare si dhe ofrohen zgjidhje për probleme të ngjajshme.

Nita Bylykbashi-Deliu nga CPC prezantoi pikat kyesore të të arriturave të iniciativës ,,RRPP National Policy Dialogue”. Ajo u fokusua në paraqitjen e rekomandimeve të dala nga një sërë debatesh, takimesh e analiza të realizuara si pjesë e kësaj iniciative. Disa nga rekomandimet kryesore të paraqitura kishin të bëjnë me decentralizimin dhe deburokratizimin e universiteteve, lehtësimin e procedurave për aplikim për fonde në MASHT, me krijimin e mekanizmave për monitorimin e zbatueshmërisë së kornizave ligjore ekzistuese, si dhe me krijimin e urave bashkëpunuese e komunikuese në mes hulumtuesve dhe politikëbërësve.


Paneli I: Hulumtuesit dhe Politikëbërësit: (Pse/A) kemi nevojë për njëri-tjetrin? 

Në panelin e parë u trajtuan çështjet e komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në mes hulumtuesve dhe politikëbërësve në Kosovë, si një nga parakushtet e domosdoshme për dizajnimin e politikave të zbatueshme edhe të sukseshme publike.

Magdalena Solska, këshilltare e RRPP-së si dhe ligjëruese në Universitetin e Friburgut, theksoi rëndësinë e përfshirjes së drejtëpërdrejtë të hulumtuesve në hartimin e politikave dhe strategjive publike, duke konsideruar se kufiri ekzistues rigjid në mes institucioneve shkencore-kërkimore dhe atyre politikëbërëse duhet të tejkalohet.

Gorana Radovanović
, menaxhere e projektit PERFORM në Serbi, u shpreh se hulumtimi mbi çështjet dhe problematikat pubike është një hallkë e patejkalueshme gjatë procesit të politikëbërjes. Për më shumë ajo theksoi se shpesh herë mungon besimi dhe respekti i dyanshëm nga hulumtuesit dhe politikebërësit, dhe se ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me prodhimin dhe përdorjen e evidencave.

Nait Hasani, kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Rebublikës së Kosovës, theksoi se shkalla e lartë e moszbatueshmërisë së ligjeve ekzistuese reflekton mbi atë se sa të nevojshme janë hulumtimet paraprake mbi çështje të caktuara publike. Ai po ashtu konsideroi se tendenca e vazhdueshme për t’a harmonizuar legjistlacionin vendor me atë të BE-së, shpesh herë rezulton në miratim të ligjeve të cilat aspak nuk i përshtaten rrethanave ekzistuese kosovare. Ai theksoi se buxheti aktual i cili i ndahet komisionit të cilin ai e drejton është i pamjaftueshëm për inicimin dhe realizimin e proceseve monitoruese rreth zbatueshmërisë së ligjeve me rëndësi vitale në fushën e arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor.

Fisnik Korenica, drejtues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, konsideroi se debati rreth bashkëpunimit në mes politikëbërësve dhe hulumtuesve duhet të trajtohet në një nivel më strategjik. Sipas tij, dështimet e politikave të deritanishme publike në Kosovë janë rezultat direkt i mos planifikimit afatgjatë dhe mos konsultimit paraprak të rezultateve të hulumtimeve. Si pasojë, çdo ligj i Kosovës amandamentohen mesatarisht çdo 3-4 vjet, që konsiderohet si praktikë absurde. Ai po ashtu kërkoi që komisionet parlamentare të luajnë një rol më aktiv në procesin e hartimit dhe diskutimit të ligjeve.


Paneli II: Në vend të ,,Brain Gain” ose ,,Brain Drain”, pse jo ,,Brain-Circulation”?

Në panelin e dytë u diskutua lidhur me idenë dhe nevojën për ,,brain circulation” në mes hulumtuesve kosovarë që veprojnë në vend dhe diasporës akademike, si një alternativë kundrejt praktikave jo të suksesshme të deritanishme që kanë synuar kthimin e kësaj diaspore në Kosovë.

Në këtë drejtim, Nitë Bylykbashi-Deliu nga CPC, prezantoi dhe promovoi para të pranishmëve Platformën Virtuale të Hulumtuesve, një iniciativë kjo e cila synon intensifikimin e komunikimit, dialogimit dhe bashkëpunimit në mes hulumtuesve kosovarë të shkencave shoqërore në kuptimin e gjerë të tyre që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, si dhe me institucionet vendore. Ajo shpjegoi se ideja për krijimin e kësaj platforme është motivuar nga të gjeturat e disa hulumtimeve të realizuara nga hulumtuesit e CPC-së, të cilat reflektojnë mbi mungesën e një hapësire inovative e praktike, në të cilën hulumtuesit kosovarë do të mund të ndanin publikisht interesat dhe angazhimet e tyre akademike, të bashkëpunonin mes vete dhe të informonin komunitetin akademik dhe politikbërës lidhur me aktivitetin dhe punën e tyre shkencore. Njëherit, të interesuarve iu bë thirrje që t’i bashkohen kësaj platforme.

Drita Kadriu, drejtoreshë e Departamentit për Arsim të Lartë në MASHT, u pajtua se ,,qarkullimi i trurit” është parakusht edhe për qarkullim të vlerave dhe për pavarësi akademike. Ajo njëherit u shpreh se krijimi i mundësive për rrjetëzim ndërkombëtar dhe inkuadrim të diasporës adakemike në hapësirën arsimore kosovare janë prioritete të MASHT-it. Ajo po ashtu konsideroi se kultura e hulumtimit shkencor në Kosovë duhet të instalohet dhe të promovohet që në nivelet e arsimit parauniversitar, si dhe të fuqizohen mekanizmat për kontrollimin dhe garantimin e kredibilitetit shkencor të punimeve akademike.

Gëzim Visoka, hulumtues dhe ligjërues në Universitetin e Dublinit, cilësoi se në Kosovë mungon hulumtimi i mirëfilltë akademik. Sipas tij, në këtë devalvim të përgjithshëm të vlerave akademike në Kosovë kanë kontribuar edhe organizatat e shoqërisë civile të cilat përmes realizimit të projekteve sipërfaqësore hulumtuese e kanë dëmtuar mendimin e pavarur kritik dhe e kanë frenuar prodhimin e dijes origjinale shkencore. Ai po ashtu vlerësoi se forcat konservatore të cilat mbështeten nga klane të ngushta të interesit personal kanë minuar përpjekjet për ndyshime rrënjësore në UP. Në këtë pikë, ai konsideroi se përderisa ,,kthimi i trurit” nuk ka rezultuar në zhvillim të përgjithshëm shoqëror për shkak se sistemi aktual nuk i ka favorizuar mendjet e hapura, zgjidhja mund të jetë tek ,,qarkullimi i trurit” ku hulumtuesit kosovarë bëhen pjesë dinamike e proceseve arsimore ndërkombëtare. Ai propozoi disa iniciativa konkrete përmes së cilave do të mund të përkrahej ,,qarkullimi i trurit” si: inicimi i një shkolle verore për hulumtim shkencor ku ligjërues do të mund të ishin hulumtues/e nga diaspora akademike kosovare; mbështetja financiare e mobilitetit të hulumtuesve për qëllime kërkimore-shkencore; shkëmbimi i syllabuseve mes ligjeruesve në universitetet e Kosovës me ata në vendet tjera; dhe aplikimi i përbashkët për fonde të BE-së për projekte hulumtuese.


Fjala Përmbledhëse: ,,Rruga përpara” – si të mbështeten mekanizmat e ,,National Policy Dialogue”?

Hasnije Ilazi, profesoreshë në UP, në fjalën e saj përmbyllëse identifikoi disa nga pikat më të rëndësishme nga diskutimet e konferencës. Ajo konkludoi se zhvillimi i hulumtimeve kredibile cilësore është baza mbi të cilën duhet të zhvillohet procesi i politikëbërjes. Për më tepër, ajo konsideroi se ndërtimi i kapaciteteve hulumtuese është një nevojë e domosdoshme me të cilën përballet komuniteti akademik kosovar. Sipas saj qasja në koncoriume ndërkombëtare si dhe nxitja e konkurencës do të kontribuonin në gjenerimin e hulumtimeve shkencore më cilësore në Kosovë. Ajo po ashtu vlerësoi se UP duhet të bëjë më shumë në përkrahje të projekteve hulumtuese si dhe të ndryshoj statutin ku roli i tij përkufizohet vetëm si institucion edukativo-arsimor, duke anashkaluar plotësisht komponentën e hulumtimit shkencor.

Mark Baskin, profesor në Universitetin Amerikan në Kosovë, theksoi faktin se edhe në vendet më të zhvilluara projektet hulumtuese shkencore nuk marrin shumë përkrahje për shkak të interferimit të interesave të caktuara politike. Ai po ashtu vlerësoi se tranzicioni demokratik në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, ka bërë që fatkeqësisht shumë arritje të kaluara akademike të harrohen dhe të lihen në hije. Në këtë pikë, ai u shpreh se depolitizimi i kërkimeve shkencore është hapi kyç drejt një hapësire të pavarur, inovative dhe shoqërisht të dobishme akademike.

By | 2017-12-12T22:38:50+00:00 December 12th, 2017|Categories: Projektet|Comments Off on Konferenca: ,,Rruga përpara: Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe vendimarrjes së bazuar në evidencë”

About the Author: