Shoqëria Civile në Kosovë që nga vitit 1999

Kohëzgjatja: shkurt 2010 – qershor 2011
Ekipi i hulumtuesëve: Remzije Istrefi, Mentor Agani, Pëllumb Kelmendi, Gjylbehare Bella-Murati

Projekti hulumtues “Shoqëria civile në Kosovë nga viti 1999” i cili iu propozua dhe u përkrah nga RRPP, i kishte disa qëllime. Qëllim i parë ishte të hetohen shtigjet e veçanta që shoqëria civile kosovare i mori pas vitit 1999, në rrethanat e veçanta që mbizotëronin në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Qëllimi i dytë ishte të hetohet nëse strukturat qeverisëse kosovare i kanë keqpërdorur dhe manipuluar vështirësitë e veçanta me të cilat Kosova është përballur gjatë përpjekjeve të veta për ta arritur shtetësinë, me qëllim të pengimit të funksionimit të shoqërisë civile, si dhe pasojat që këto keqpërdorime dhe manipulime të supozuara mund t’i kenë patur në procesin e tranzicionit të Kosovës drejt demokracisë. Dhe, së fundi, ky projekt ishte një përpjekje për ta kuptuar dhe shpjeguar ndryshimin e jashtëzakonshëm të angazhimit qytetar në Kosovë pas lufës së vitit 1999, krahasuar me format dhe intensitetin që ky angazhim i kishte para vitit 1999.
Në hetimin e ndikimit që rrethanat e veçanta në Kosovë pas vitit 1999 e ushtruan në zhvillimin e shoqërisë civile kosovare të sotme, ekipi hulumtues është përqendruar në dy rrethana që patën rëndësi mbizotëruese: në gjendjen karakteristike për një mjedis të paslufës, dhe praninë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Sa i përket keqpërdorimeve dhe manipulimeve të mundshme nga strukturat qeveritare kosovare, përqendrimi i ekipit hulumtues ishte në mundësitë që këto struktura i kanë patur për t’i shfrytëzuar të ashtuquajturat “çështjet e mëdha kombëtare” (të tilla si ato që kishin të bëjnë me statusin përfundimtar të Kosovës, njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe vështirësitë shumë të mëdha në veriun e Kosovës), me qëllim të përligjjes së një mjedisi në të cilin mbizotërojnë qeverisja joefkase dhe nivele të larta të korrupsionit. Puna e bërë lidhur me qëllimin e tretë ishte një përpjekje për t’i dhënë një farë kuptimi zvogëlimit të përnjëhershëm të frymës qytetare pas vitit 1999, e cila frymë ishte jashtëzakonisht e fuqishme më parë, dhe për ta kuptuar transformimin e shoqërisë civile kosovare në një entitet i cili më tepër i përngjason një makiazhi të skenës politike, se një force shtytëse e cila do të sillte ndonjë përmirësim të mirëflltë politik.

Libri “Shoqëria civile në Kosovë nga viti 1999” është produkti përfundimtar i këtij hulumtimi. Ky i përmban katër kapituj të shkruar nga anëtarët e ekipit hulumtues, të cilët mbështeten në të dhënat e ftuara gjatë intervistave. Dy nga këta kapituj, “Përkrahja e pajtimit në Kosovën e paslufës” i Gjylbehare Bella Muratit, dhe “Ndërtimi i paqes që funksionon: A sjell ndryshim Ndërtimi i Komunitetit në Mitrovicë” i Remzije Istreft dhe Valdete Idrizit, janë të përqendruar në rolin që shoqëria civile kosovare e ka luajtur në çështjet e marrëdhënieve ndëretnike dhe të të drejtave të njeriut në Kosovën e paslufës; ky i dyti e shqyrton çështjen e pjesës veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Punimi i Pëllumb Kelmendit, “Shoqëria civile dhe politika e kundërshtimit në Kosovën e paslufës” nxjerr përfundime mbi funksionimin e shoqërisë civile kosovare duke u përqendruar në zhvillimin e lëvizjes “Vetëvendosje.” Dhe, në fund, kapitulli hyrës i shkruar nga Mentor Agani e ofron një vështrim të përgjithshëm të të tërë hulumtimit dhe i jep disa përfundime të përgjithësuara për zhvillimet e shoqërisë civile kosovare të tashme.

Libri “Shoqëria Civile në Kosovë që nga viti 1999” (pdf)