Ese: Gjendja në arsimin e lartë në Kosovë, me theks të veçantë në Universitetin e Prishtinës

Besmir Radoniqi

Kjo ese është ndarë në tre pjesë. Pjesa themelore e esesë është ajo e dyta, e cila ngërthen referenca nga studime të organizatave të shoqërisë civile mbi gjendjen e arsimit të lartë në Kosovë si dhe përvoja personale gjatë pesë vite studime (tre vite Bachelor Shkenca Politike dhe dy vite Master Integrime Evropiane dhe Administratë Publike). Në pjesën e tretë dhe të fundit konkludoj se vetëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe të sinqertë nga poshtë-lart dhe nga lart-poshtë në të njëjtën kohë, ku do të përfshiheshin studentët, stafi akademik, administrata, strukturat udhëheqëse të Universitetit, si dhe nëpërmjet politikave të mirëfillta mbi arsimin e lartë, Universiteti i Prishtinës (UP) do të mund të përparonte në ofrimin e mësimdhënies dhe kërkimit cilësor akademik si dy elementet kryesore të cilësisë së arsimit të lartë.

“Organizata të shoqërisë civile, profesionistë të fushës dhe komentues të ndryshëm që i kanë drejtuar ,,reflektorët” kah Universiteti i Prishtinës, kanë evidentuar një varg problemesh që lidhen me pandershmërinë akademike, plagjiarizmin dhe avancimet jomeritore” (CPC, 2019). Në një studim të organizatës ,,ADMOVERE”, që fushë kryesore të veprimit ka angazhimin për ndërtimin e një shoqërie demokratike, botuar në shtator të vitit 2018, vihen në pah një numër rastesh plagjiaturash nga stafi akademik i UP-së të raportuara në media (ADMOVERE, 2018). Në këtë studim janë paraqitur gjashtëmbëdhjetë raste të tilla, të cilat variojnë prej vjedhjes së disa faqeve të punimeve të autorëve vendas dhe të huaj, në vjedhjen e disa kapitujve e deri te vjedhja dhe përkthimi i tërësishëm i punimeve nga një gjuhë në tjetrën për t’i botuar më pas në revistat e huaja shkencore. Në të gjitha rastet stafi akademik ose ka heshtur ose ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si shpifje dhe tendencioze për të dëmtuar imazhin dhe karrierën e tyre akademike. Fatkeqësisht, nga të gjitha rastet, të gjithë profesorët/eshat vazhdojnë ose kanë vazhduar punën deri në pensionim në UP. Në rastin më të mirë ata/ato janë suspenduar përkohësisht nga puna për t’u rikthyer më pas në detyrë.

Një problem shumë i madh që e ka përshkuar rrugën e UP-së, në veçanti në vitet pas luftës, është ndërhyrja e politikës në pavarësinë e saj. Për më tepër, politika ka instrumentalizuar edhe organizatat studentore për qëllime politike (CPC, 2019). Në fakt roli dhe qëllimi kryesor dhe i vetëm i këtyre organizatave do të duhej të ishte mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të studentëve. Përkundrazi, ato janë vetëm dorë e zgjatur e partive politike si mjete për të ndërhyrë në punët e UP-së. Prandaj, Parlamenti Studentor shpeshherë pasqyron fuqinë e partive politike në mesin e studentëve. Gjatë pesë viteve të studimeve, në dy palë zgjedhje studentore, kam ushtruar të drejtën e votimit. Nga këto dy përvoja mund të veçoj se diskutime të shpeshta mes studentëve kanë qenë në lidhje me çështjen se cila organizatë studentore është e lidhur dhe mbron interesat e cilës parti politike. Fitorja e një x organizate studentore shpeshherë është pasqyruar si fitore e një partie të caktuar politike në fakultetin gjegjës.

Sa i përket administratës, orari i punës me palë është i shkurtër. Katër orë në ditë, duke mos përfshirë këtu ditën e enjte në të cilën nuk punohet me palë, janë të pamjaftueshme për nevojat e studentëve. Një problem tjetër është edhe mosofrimi i përkthimit në gjuhën angleze të transkriptave të notave, p.sh. siç ndodh në Fakultetin Filozofik. Administrata siguron për studentin/en transkriptën në gjuhën shqipe dhe pastaj studenti/ja duhet ta dërgojë atë tek një zyrtar i administratës, i cili në mënyrë vullnetare i përkthen ato. E gjithë kjo përcillet me një varg procedurash të lodhshme burokratike lidhur me nënshkrimin dhe vulosjen e transkriptës. Kjo për shkak se transkripta duhet të nënshkruhet nga Referenti/ja, Sekretari/ja e Fakultetit, Dekani dhe në fund të protokollohet. Shpeshherë më janë dashur tri ditë për t’i përfunduar këto procedura dhe për ta kompletuar transkriptën në gjuhën angleze.

Një problem tjetër shumë i diskutuar nga qarqe akademike, por edhe në opinionin publik është shqetësimi lidhur me disbalancin mes numrit të studentëve të pranuar në UP dhe kërkesave të tregut. Shpeshherë kemi dëgjuar se tregu i punës nuk ka nevojë për x numër të juristëve, apo y numër të ekonomistëve. Prandaj, UP duhet ta adresojë këtë problem duke i dhënë më shumë përparësi drejtimeve deficitare për të cilat kërkesa e tregut të punës është më e madhe.

Sa i përket infrastrukturës duhet potencuar se ka godina moderne të fakulteteve, si p.sh. Fakulteti Filozofik apo Fakulteti i Edukimit. Por, në të njëjtën kohë ka edhe godina shumë të vjetra dhe të parenovuara për një kohë të gjatë, si p.sh Fakulteti Teknik, Fakulteti Ekonomik apo Fakulteti Juridik.

Mund të konkludoj se vetëm nëpërmjet funksionalizimit të mekanizmave të thirrjes në përgjegjësi të profesorëve/eshave të akuzuar për plagjiaturë UP mund të garantojë integritetin akademik. Suspendimi dhe përjashtimi i tyre nga puna do të shërbente si shembull për të gjitha gjeneratat e ardhshme në lidhje me integritetin akademik. Organizatat studentore duhet të pavarësohen nga ndikimi politik dhe të jenë mbrojtëse të njëmendëta të të drejtave dhe interesave të studentëve. Ato duhet të avokojnë për arsim më cilësor, kushte më të mira infrastrukturore, e deri te çështje më të vogla si përshtatja e orarit të ligjëratave dhe provimeve me kërkesat e studentëve, duke u bërë kështu një ,,urë lidhëse” mes studentëve dhe profesorëve/eshave me interesat e studentëve, e jo të merren me çështje politike. Përfundimisht një reformë në administratën e UP-së dhe të fakulteteve në veçanti është më se e nevojshme. Në thelb të kësaj reforme do të duhej të ishin parimet e efiçiencës dhe ekonomizimit. Kërkesa e tregut të punës dhe oferta e UP-së duhet të drejtëpeshohen. UP duhet të promovojë më shumë drejtimet deficitare. Të gjitha këto do të mund të arriheshin vetëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe të sinqertë nga poshtë-lart dhe nga lart-poshtë në të njëjtën kohë, ku do të përfshiheshin studentët, stafi akademik, administrata, strukturat udhëheqëse të UP-së dhe vetëm nëpërmjet politikave të mirëfillta mbi arsimin e lartë me anë të të cilave UP do të mund të përparonte në ofrimin e mësimdhënies dhe kërkimit cilësor akademik si dy elementet kryesore të cilësisë së arsimit të lartë.