Krenare Rushiti
Konceptimi i arsimit të lartë si jetik për realizimin e qëllimeve si arritja e një grade shkencore dhe formimi i një karriere të suksesshme ka bërë që aplikimet e të rinjve për të qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës (UP) të jenë me mijëra sosh. Përkundër kritikave ndaj këtij institucioni arsimor nga organizata të ndryshme në Kosovë, prapë vullneti dhe dëshira e shumicës së të rinjve është të jenë pjesë e UP-së. Kjo ndoshta për shkak të paragjykimeve se universitetet publike në përgjithësi janë më të rëndësishme për qasjen në tregun e punës pas diplomimit, apo se ato kanë kuadër më të kualifikuar. Mirëpo, këto paragjykime rreth UP-së nuk vlejnë kur e shohim cilësinë e bartësve privat të arsimit të lartë në Kosovë, që nëse i krahasojmë me UP-në e vërejmë që ky i fundit në disa departamente rangohet më poshtë se bartësit privatë të arsimit të lartë. Në Fakultetin Filozofik, Departamentin e Shkencës Politike aty ku studioj, mangësitë nuk i tejkalojnë përparësitë. Por për t’u përmirësuar duhet vënë në pah mangësitë që i ka: ligjërimi ,,autoritar” i profesorëve është i theksuar tek çdonjëri, pothuajse, interaktiviteti mes studentëve dhe profesorëve është i mangët pasi këta të fundit e zhvillojnë ligjëratën në formën e një monologu. Për shumë prej studentëve shpjegimi i tyre ndonjëherë është i pakuptueshëm, kjo sepse ata/ato duke u munduar të thjeshtësojnë temën e ndërlikojnë më shumë, ,,ligjërimi” i disa profesorëve duke lexuar slide-t, dhe disa duke na diktuar temën na ngjall nostalgjinë për shkollën fillore, duke na bërë skeptikë nëse jemi ende në atë nivel apo jemi duke vijuar arsimin e lartë. Njëri prej defekteve me të mëdha mbetet përsëritja e të njëjtit provim nga profesorët për çdo afat, ndërsa studentët kanë qasje në testet paraprake dhe kjo bën që shumica e tyre të fokusohen vetëm tek ai test, pa e konsultuar literaturën e përgjithshme. Karakteristikë e këtij fenomeni është se provimet e profesorëve gjenden fare lehtë në fotokopjet afër kampusit universitar, të cilët i posedojnë të gjitha materialet e lëndës.
Përveç mangësive ky department karakterizohet edhe me profesorë që kanë një bagazh të madh, përgatitja e tyre akademike nuk ndalet vetëm tek studimet doktorale, botimi në revista shkencore është i theksuar nga ana e tyre, po ashtu transparenca ndaj studentëve duke e lejuar studentin që në konsultime të shikojë gabimet e tij/saj dhe përgënjështrimi i rezultateve të provimit në raste të ndryshme.
Prej problemeve që e atakojnë në përgjithësi Universitetin e Prishtinës është blerja e diplomave nga studentët dhe paraqitja para profesorëve si punime autentike të tyre. Nga hulumtimet e ,,Organizatës Çohu” çmimi i një punimi të diplomës qëndron mes 250 euro e më shumë, e gjitha varet nga tema dhe niveli i studimeve. Tjetër problem që është i pranishëm pothuajse tek të gjitha fakultetet e UP-së është mungesa e literaturës. Pavarësisht se janë në dijeni për këtë mungesë profesorët i rradhisin në planprogramet e tyre librat që duhet t’i lexojnë studentët, të cilat ndonjëherë është e pamumdur të sigurohen, pasi librat nuk gjenden jo vetëm në bibliotekën e fakultetit por as në libraritë e vendit dhe as në shtëpitë botuese. Duke i parë këto probleme reagimet e studentëve lënë për të dëshiruar.
Ndoshta prej arsyeve të pasivitetit është ndarja e studentëve në organizata studentore të cilat e kanë synimin për pushtet pothuajse të njëjtë me partitë politike. Duke i lënë përgjegjësitë kryetarit të organizatës, anëtarët e saj presin nga ai/ajo inicimin e aktivitetit për çfarëdo çështje ndërsa nga anëtarët pritet vetëm të marrin pjesë. Por në mënyrë analoge kundërshtitë mes organizatave studentore janë të ngjashme me partitë politike. Sipas një raporti të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ,,Situata e aktivizmit studentor”, kundërshtitë mes organizatave studentore vërehen tek protestat kundër ish-rektorit Gashi në të cilat ,,ka qenë mjaft e dukshme që e vetmja gjë që i ka neutralizuar këto përçarje ishte përfshirja e shoqërisë civile në aksionet dhe organizimet e studentëve duke tërhequr numër më të madh të qytetarëve, që njëherësh ka ndikuar edhe në mbulueshmëri më të madhe mediatike”. Arsye tjetër pse ndodh pasiviteti i studentëve dhe heshtja e tyre karshi problemeve që i hasin është edhe frika nga ndëshkueshmëria nga ana e profesorëve për reagimet e tyre, duke menduar se mund t’iu ,,hakmerren” në notë ose provime për aktivizmin e tyre ose protestat e organizuara kundër tyre. Rrjedhimisht problemet e universitetit mbeten të hetohen dhe adresohen nga organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile, por jo nga vetë personeli akademik dhe studentët.
Përveç mangësive UP ka përparësitë e tij, pasi vetëm me mangësi nuk do të funksiononte për dekada me radhë, por për t’u përmirësuar dhe për të qenë konkurrent me universitetet rajonale duhet hetuar defektet e sistemit, ndjekja e modelit të universiteteve perëndimore, shndërrimi i disavantazheve në avantazhe, ndryshimi i elitave drejtuese (rektorëve, dekanëve), pra mosqëndrimi në pushtet deri në pension, po ashtu moslejimi i dirigjimit të universitetit nga partitë politike. Për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë nevojitet angazhimi më i madh i stafit akademik dhe studentëve në mënyrë që Kosova të jetë konkurrente me vendet e rajonit.
Sa i përket përmirësimeve që mund të bëhen do të thoja që: një ligjeratë të jetë e dobishme mjafton të jetë interaktive mes profesorëve dhe studentëve dhe në qendër të jenë gjithmonë këta të fundit; të ndodhë ndryshimi i pyetjeve të provimeve nga profesorët nëpër afate; të ketë pajisje me literaturë në biblioteka; të mos ketë pranim të studentëve në universitet në baza nepotizmi pasi kjo i dëmton ata duke ua bërë shprehi arritjen në karrierë në baza njoftësie e jo meritokracie; të mos ketë notim në baza preferenciale ndaj studentëve si dhe të ketë ndëshkime për plagjiaturë.