Tryezë mbi integritetin akademik në Arsimin e Lartë në Kosovë, me theks të posaçëm në Universitetin e Prishtinës, 3 tetor 2019

Më 3 tetor 2019, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi tryezë mbi integritetin akademik në Arsimin e Lartë në Kosovë, me theks të posaçëm në Universitetin e Prishtinës.

Në tryezë u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet nga raporti ,,Dialog mes te shurdhërve” – mbi integritetin akademik në Universitetin e Prishtinës. Në hulumtimi evidentohen një varg problemesh që lidhen me ndershmërinë akademike, plagjiarizmin, avansimet dhe çështje të tjera përkitazi me etikën dhe integritetin në UP e përtej. Për më shumë në hulumtim radhiten edhe një sërë rekomandimësh për hisedarët e arsimit të lartë në Kosovë.

Pas prezantimit të qëllimit dhe gjetjeve të hulumtimit, fjalën e mori Prorektori për kërkime shkencore i Universitetit të Prishtinës z. Faton Berisha duke vazhduar më pas z. Aqim Emurli nga projekti HERAS në Kosovë, i cili paraqiti para të pranishmëve angazhimet e projektit që drejton me fokus në etikën dhe integritetin në hulumtime shkencore dhe disa propozime konkrete se si të adresohen këto çështje.

Pjesëmarrës në tryezë ishin kryesisht profesorë dhe pjesëtarë të menaxhmetit të UP-së si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Ndonëse ishin ftuar edhe zyrtarë të MAShT, asnjë nga ta nuk ishin të pranishëm në tryezë.

Në bazë të diskutimeve në këtë tryezë CPC do të hartojë një dokument avokues në të cilin gjetjet kryesore të hulumtimit do të gërshëtohen me diskutimet.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit ,,Avokim per avansimin e integritetit akademik dhe cilësisë së arsimit të lartë.” Qëllimi i përgjithshëm i projektit është përmirësimin e politikave dhe dokumenteve kyçe që rregullojnë çështjet e integritetit akademik të UP-së dhe ngritjen e cilësisë mbi temat e mendimit kritik, shkrimit akademik dhe aftësive të buta tek studentët e vitit të parë dhe të dytë të UP-së.
Projekti ,,Avokim per avansimin e integritetit akademik dhe cilësisë së arsimit të lartë” mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Tranparencë në Universitet (KITU).