Ku ndodhet sot Universiteti i Prishtinës

Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu
Autori është profesor i rregullt i Departamentit të matematikës të FSHMN.

 

Kohë më parë në ndërtesën e Fakultetit Filologjik në hyrje të kampusit të UP-së është shkruar një thënie e presidentit Kenedi  ”Liria pa dituri është gjithmonë në rrezik”. Nuk i kam të qarta arsyet pse u shkrua kjo thënie, ndoshta ishte rastësi, por edhe rastësisht bëhen veprime  që mbijetojnë shekuj. Edhe nëse vënia e kësaj thënie ka qenë rastësi, ajo është vënë në kohën e duhur dhe sot ndodhet në vendin e duhur.

Kur është fjala për thënie, ato veçohen si kujtese dhe kujdes ndaj autoriteteve, në përvjetorë dhe ngjarje që lidhen me ta apo si ftesë (vërejtje) në momente të caktuara në të cilët ndodhet institucioni (apo shoqëria) të cilit i dedikohet ajo në formë të një mbishkrimi. Gjykuar sipas momentit në të cilën ndodhet shoqëria jonë mund të kuptohet arsyeja e dytë: Liria është në rrezik sepse institucionet e shtetit menaxhohen nga, padituria dhe krimi i organizuar, kurse institucioni që për mision ka përgatitjen e shoqërisë së ditur ka devijuar pakthyeshëm nga rruga ligjore dhe është kapur nga krimi i organizuar dhe format e ndryshme të korrupsionit. Këtu vetëm një gjë nuk është mjaft të qartë dhe vetëm për lexuesin e painformuar mirë: Nëse iniciatori i vënies së thënies e ka bërë këtë edhe për të pasqyruar gjendjen e mjerueshme të institucionit që e menaxhon (jo krejtësisht për fajin e tij), apo është ky një  veprim që ka për qëllim “të  dekorojë shtëpinë me ngjyrat më të bukura kur asaj tash veç tërësisht i është lënduar statika”.

Nuk më takon mua të merrem më tepër me thënien, as  lirinë (çlirimin dhe çlirimtarët) në kuptimin e përditshmërisë tonë politike e as me shtetin si qeverisje me atdheun,  mos për asgjë tjetër sepse është më e lehtë dhe më dobiprurëse, por vetëm në situata të mjerimit politik, të thuhet se unë nuk merrem me politikë e si rrjedhojë nuk kam as përgjegjësi. Kjo edhe për një arsye sepse më është e qartë se heshtja është më pak e rrezikshme dhe më dobiprurëse sesa mospuna në shoqërinë tonë.  Megjithatë heshtja skajshmërisht zhgënjyese prezente në UP dhe më gjerë në shoqëri, shkakton panik dhe zvogëlon shpresë për një të ardhme më të ndritur.

Duke qenë mësimdhënës universitar për më tepër se tri dekada e konsideroj se është minimum i obligimit njerëzor të artikuloj edhe publikisht një qëndrim timin lidhur me Universitetin e Prishtinës nga i cili, në përgjithësi, përfituam shumë, edhe si shoqëri edhe si individë. Këtë e pranojnë të gjithë, përfshirë edhe ata që, ndoshta edhe pa dashje, kontribuuan dhe po kontribuojnë në rënin e autoritetit që ky institucion gëzonte në shoqërinë kosovare.

Thonë se e keqja nuk ka fund dhe kjo, e përkthyer në gjuhën e matematikës shprehet kështu: Nuk ekziston kufiri i poshtëm i së keqes. Mirëpo, ekziston një nivel i së keqes i cili bëhet shqetësim-thuhet se e keqja ka marrë përmasa shqetësues. Në atë moment para njerëzve të arsyeshëm shtrohen dy dilema: të luftohet e keqja që mund të jetë sfiduese dhe me rrezik të mossuksesit, apo të bashkëjetohet me të keqen që është qetësia rrënuese por dobiprurëse në mjerimin tonë politik e institucional.

Sa i përket Universitetit të Prishtinës përmasat e së keqes ka kohë që janë bërë shqetësuese. Menaxhimi i UP-së, nën kontrollin e rreptë politik, po degjeneron. Grupe individësh të akomoduar mirë ne jetën akademike dhe që, për interesat e tyre në vendimmarrje, shpërdorojnë edhe grupe studentesh, më nuk arrijnë të fshehin sjelljet joakademike, rrugaçërie, kriminalitet e amoraliteti. Ata janë faktorizuar aq shumë sa e kanë shndërruar ketë institucion në pronë private të tyre, kurse imazhin e  mirë që me vite e kishin krijuar studentet e mrekullueshëm dhe stafi i përkushtuar në ketë universitet e kanë rrënuar pakthyeshëm.

Pse ndodhi kështu? Jorrallë, pas luftës, është dëshmuar se papërgjegjësia e bartësve të funksioneve menaxheriale, përfshirë këtu edhe stafin akademik të UP, rezulton me veprime që më shumë i shkojnë një kategorie të inkriminuar të njerëzve sesa akademikëve. Ndërkaq, guximin njerëzor dhe intelektual e kanë zëvendësuar përshtatja me të keqen, servilizmi dhe interesi. Termi “intelektual” në mjerimin tonë politik e institucional është i papërcaktuar, i keqkuptuar, i keqinterpretuar dhe i keqpërdorur deri në zhgënjim. Jo çdo individ që ka arritur gradën shkencore në Kosovë do të duhej të quhej intelektual.

Për hir të së vërtetës, struktura të caktuara akademike brenda UP bënë përpjekje disa herë që të pengojnë shtrirjen e ndikimit të strukturës parapolitike që tash po stabilizohej në vendimmarrje në UP. Mirëpo, forca e përdorur nga kjo strukturë ishte joproporcionale dhe skajshmërisht mafioze, gjë që bëri që  përpjekjet e tilla  të dështojnë që në embrion. Përpjekja e fundit serioze u shënua në vitin 2006 kur UP kishte rastin të shkëputet nga kthetrat e së keqes, mirëpo si asnjëherë më parë dhe për asnjë qellim tjetër madhor nacional, institucionet e shtetit të përkrahura edhe nga qarqe të caktuara ndërkombëtare dhe spektri politik opozitar (që në këtë rast kishte rol vendimtar) kishin arritur konsensus që rezistencën ta shuanin përfundimisht. Kështu edhe ndodhi, u instalua paligjshmëria në vend të ligjshmërisë, u zëvendësuan të diturit me mediokër  dhe përfundimisht, edhe në UP u vendos pushteti i shefit (kapos). Në fushatat zgjedhore aspak të ndershme, qe u zhvilluan më pastaj dukej sheshazi se kjo ishte kërkesë që shtrohej dhe kriteri mbi te cilin vlerësohej.

Po kush është shefi? Nuk e besoj se ndokush e di se kush është shefi në UP, por, unë e di sikurse të gjithë të tjerët se shefi nuk është shef. Nga ana tjetër vërehet sheshazi se tash shefi vendos për çdo gjë dhe nga shefi varet edhe niveli i lirive akademike në UP, kurse ligjet mbi arsimin e lartë që i miratoi Kuvendi i Kosovës po mbeten relikte kohe të pazbatuara ndonjëherë. Kështu përfundimisht UP është bërë një institucion ku me ndershmëri, sinqeritet, profesionalizëm  dhe zell në punë  kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar.

Është interesant se edhe koha  punonte për interesat e “frymës së re” në UP.  Gjenerata entuziaste që kishte vënë themelet e jetës akademike në UP tash po përfundonte shekullin e vet të punës, kështu që në emër të ripërtëritjes së kapaciteteve akademike në një kohë kur nevojat po shtoheshin gjithnjë e me tepër, u krijua hapësirë e mjaftueshme për shpërdorime të papara deri atëherë. Në pjesën e stafit të ri akademik kryesisht zgjidhen kandidatë që nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe, në shumë raste, me recensione e procedura të falsifikuara nga vet ata, por edhe nga komisionet recensuese, dhe e tërë kjo ndodhë sheshazi dhe me dijen e udhëheqjes së UP. Zgjedhja bëhet sipas preferencave politike, përfitimeve materiale apo lidhjeve familjare. Votimi në pako për zgjedhjet e stafit akademik në Senatin e UP është bërë mekanizmi më i sofistikuar i mbulimit të krimit në këtë fushë. Është e mjaftueshme të nxjerret një statistikë e të pranuarve në punë në këto vite në UP, në çfarëdo pozite, e të konstatohet se kriter dominant i pranimit ishte nepotizmi, përkatësia politike dhe interesi material. Si pasojë, sot njësitë akademike janë mbushur me kuadro që e kishin vështirë të  merrnin një notë kaluese pa ndonjë zhagitje të gjatë ose herë-herë pa anashkalimi të procedurave, kurse UP është degraduar aq sa tash më nuk ka gjasë të kryej misioni e vet.

Së shpejti u promovuan linjat e fabrikimit të “kuadrit shkencor” pa respektimin e kritereve akademike, e cila krijon përshtypjen e gabuar për kapacitetin shkencor të universitetit, ose thënë ndryshe numri relativisht i madhe doktoratave dhe magjistraturave të përfunduara në një periudhë relativisht të shkurtër është në shpërputhje të plotë me kapacitetet shkencore dhe pajisjet laboratorike në UP.  Anashkalimi procedurave akademike në këtë fushe është përcjellë me veprime devijante që ka rezultuar me produkt jocilësor dhe të dëmshëm për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Organet e universitetit asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se transmetimin e informacionit shkencor mund ta bëjnë vetëm ata që kanë informacion shkencor  dhe që, në një masë, janë pjesë e këtij informacioni e kurrsesi ata të cilët gradat shkencore i kanë arritur në rrugë joligjore. Vetëm zbatimi rigoroz i procedurave akademike dhe transparenca e plotë në këtë fushë mund të ju ndërprejë hovin dukurive devijante që janë në fazë të avancuar të shtrirjes. Si pasojë sot njësitë akademike të UP-së janë mbushur me kuadro që e kanë vështirë të marrin notë kaluese në lëndën që e ligjërojnë vet.

Meqë ky shkrim mori si shkas një thënie, po e vazhdoj edhe me një thënie tjetër të profesorit tim të respektuar nga i cili mësova shumë, jo vetëm nga matematika. Në vitin 2006, në një situatë shokuese, kur i mbyllet dera e fakultetit nga studentë të instrumentalizuar nga parapolitika e me qëllim të pengimit të një mbledhje zgjedhore që duhet të mbahej atë ditë, i lodhur nga mosha dhe vapa e qershorit dhe i indinjuar me përmasën e arrogancës dhe papërgjegjësisë së dekanit që instruktonte studentët, fshiu djersën nga balli dhe artikuloi një thënie e cila më mbeti në kujtese tërë jetën:  Ekziston një vijë e gjelbër e dinjitetit njerëzor nën të cilën kur njeriu bie nuk mbetet më njeri! tha ai me atë rast.  Edhe pse profesori im tashmë nuk jeton, gjatë gjithë kohës më pastaj, por edhe gjatë shkrimit të këtyre rreshtave disa herë i kam shikuar raportet e mia me këtë vijë. E tërë kjo përmes pyetjes që të përgjithësuar po e shtroj për të gjithë në UP: Cili nga ne gjatë punës tonë, pa dashje, apo duke u përshtatë me të keqen për interes të çfarëdo lloji mbeti pa rënë nën këtë vijë ?  Në përgjigje fshihet arsyeja pse sot UP është e zhveshur nga identiteti dhe misioni i saj dhe është vënë në rrugëkryqin e autostradave të krimit të shoqërisë shqiptare të Kosovës, të cilat autostrada në disa raste kalojnë nëpër dyert e institucioneve të shtetit. Kush do ta ndihmojë atë dhe ne brenda tij t’i kthehemi ligjit dhe punës së mirëfilltë me studentët? Fundja, mësimdhënia për të cilën jemi përcaktuar që në fillim është mision e jo mundësi për vardisje politikës dhe politikanëve me inteligjencë të munguar e kriminalitet të tepruar.

Për ata lexues të kujdesshëm që për shkak të mosinformimit mund të kenë vërejtje se pse është heshtur deri tash, me respektin më të madh i përkujtoj një përgjigje të shkurtër që e kam dhënë për këtë çështje në ish të përditshmen Rilindja të datës  15.06.2000. “Para së gjithash do të duhej që UP të lirohet nga individët pa biografi universitare dhe të tillët që këtë e konsiderojnë si vend ku mund t’i realizojnë interesat  e tyre personale, qoftë edhe me veprime kriminale, të tillë ka, ne i dimë, por mjerisht ne po heshtim. Mendoj që në këtë moment më së tepërmi duhet të punojmë në eliminimin e ndikimit të tyre në vendimmarrje në universitet. Nëse këtë nuk e bëjmë, pasojat do të jenë shumë më shumë fatale se ato të fillimit të viteve 90”.

27 dhjetor 2013