Për krijimin e Komisionit Kombëtar për Etikë Shkencore

Arben Hajrullahu (Departamenti i Shkencës Politike, UP)
Qëndrim Gashi (Departamenti i Matematikës, UP)

 

Aty ku arsimi, studimet dhe hulumtimet nuk janë cilësore, as fushat dhe veprimtaritë tjera shoqërore dhe institucionale nuk mund të jenë cilësore. E që sistemi i arsimit, studimet dhe hulumtimet në Kosovë kryesisht nuk janë cilësore, është e ditur dhe e pranuar gjerësisht.

Duke u nisur nga përvoja dhe vëzhgimet sistematike se si punohet dhe veprohet në Universitetine Prishtinës (UP), ne, duke qenë njëkohësisht anëtarë të stafit akademik të UP-së, propozojmë publikisht që institucionet përgjegjëse të trajtojnë seriozisht gjendjen e krijuar në institucionin kyç të arsimit të lartë, në UP, dhe të thirrin në jetë një Komision Kombëtar për Etikë Shkencore në Universitetin e Prishtinës.

Ne jemi të shqetësuar pa masë nga mungesa e integritetit akademik në mësimdhënie dhe në publikime shkencore te një numër jo i vogël i kolegëve të UP-së dhe jemi të indinjuar sidomos nga skandalet e vazhdueshme në UP, përfshirë publikimet e librave dhe artikujve „shkencorë” në shtëpi botuese dhe në revista, ose të trilluara ose me kualitet tepër të ulët, për t’u avancuar në thirrje akademike. Andaj ndihemi të obliguar të reagojmë dhe propozojmë publikisht masa përkatëse lidhur me gjendjen e përgjithshme në UP.

Kjo thirrje publike i drejtohet para së gjithash institucioneve dhe udhëheqësve që kanë përgjegjësi institucionale apo individuale për gjendjen e përgjithshme në UP, si: strukturave udhëheqëse dhe tërë stafit akademik në UP, Këshillit Kombëtar të Shkencës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.

Misioni i UP-së, universitetit më të madh dhe më të rëndësishëm në Kosovë, sipas Statutit, përfshin „avancimin e dijes, ideve kreative dhe shkencës” dhe ndër të tjera synon të krijojë standardet më të larta në fushën e kërkimeve shkencore. Thirrjet në diploma, teza doktorature, teza master e publikime në revista të rreme e të dyshimta, e deri në skandaloze, me qëllim për t’u punësuar dhe për t’u avancuar në thirrjen akademike në UP, përbëjnë shkelje të hapura të misionit të universitetit dhe njëkohësisht dëmtojnë rëndë kredibilitetin e tij dhe para së gjithash edhe të ardhmen dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

Ne mendojmë se përveç sfidave të përgjithshme me rendin e ligjin në Kosovë, pesë faktorë kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në këtë situatë të rëndë në UP. E para është kultura e pritshmërisë se stafi akademik do të avancohet automatikisht, pas një kohe të caktuar, pa marrë parasysh punën dhe cilësinë e punës së tyre akademike. E dyta është mungesa e pozitave që janë kryesisht ose kryekëput për mësimdhënie në UP dhe të cilat nuk do t’i krijonin presion stafit akademik, i cili mund të jetë duke dhënë kontribut qenësor në mësimdhënie. Bazuar në kontratë, stafi akademik në UP paguhet vetëm, dhe vetëm për aktivitetin mësimdhënës, por jo edhe atë kërkimor, përderisa avancimi kërkon edhe dëshmi të një numri të konsiderueshëm hulumtimesh e publikimesh shkencore. E treta, shumë komisione profesionale për zgjedhjen e personelit akademik konsiderojnë punën e tyre të tillë që nuk kërkon më shumë se sa verifikimin teknik se a e kanë dorëzuar kandidatët dokumentacionin e plotë (p.sh. certifikatën e lindjes), kurse puna e tyre duhet të jetë vlerësimi i kontributit shkencor dhe atij të përgjithshëm të kandidatëve. E katërta ka të bëjë me mosrespektimin e kritereve në dhënien e thirrjeve akademike si dhe gradave shkencore, doktoraturave, thirrjeve master etj., nga universitet vendore dhe nostrifikimin e atyre të fituara jashtë vendit. Dhe, e pesta, por jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë me politizimin sistematik të UP-së dhe krijimin e një kulture të mosndëshkimit të keqpërdoruesve, mashtruesve dhe manipuluesve ordinerë. Është realitet që edhe atëherë kur dalin në shesh rastet kur një numër i konsiderueshëm i stafit akademik, shpesh në bashkëpunim me stafin administrativ e menaxhues, bën falsifikime të dokumenteve, notave, keqpërdor pozitën duke nënshkruar referate për avancime akademike apo ndarje të titujve shkencorë pa asnjë kriter e bazuar në falsifikime e manipulime, nuk pason asnjë ndëshkim.

Prandaj, kërkojmë me ngulm:

  1. Krijimin e një Komisioni Kombëtar për Etikë Shkencore në Universitetin e Prishtinës, i asistuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë të fushave përkatëse, i cili do ta verifikojë vërtetësinë e të gjitha diplomave dhe thirrjeve akademike të stafit akademik të UP-së dhe rezultatet e këtij verifikimi të jenë publike dhe transparente. Për më shumë Komisioni Kombëtar për Etikë Shkencore në Universitetin e Prishtinës duhet të hartojë rekomandime të obligueshme për risistemimin e pozitave dhe thirrjeve akademike, varësisht nga kualifikimet përkatëse të personelit akademik;
  2. Të shqyrtohen propozimet për modifikimin e Statutit dhe akteve tjera normative të UP-së duke garantuar autonomi për njësitë e UP-së dhe parandalimin e ushtrimit të ndikimit nga politika ditore;
  3. Garantimine transparencës së zgjedhjes dhe punës shkencore e mësimore të stafit akademik. Një hap i menjëhershëm është krijimi i ueb faqeve në domenin e universitetit për të gjithë anëtarët e stafit akademik, ku paraqitet në mënyrë të detajuar lista e punimeve shkencore dhe CV-të e plota të tyre;
  4. Krijimin dhe garantimin e kredibilitetit akademik e profesional në Rektorat, i cili ka munguar dhe vazhdon të mungojë për një kohë të gjatë;
  5. Që MASHT-i dhe UP-ja të ndërmarrin hapa konkretë në mbrojtjen e standardeve të publikimeve shkencore dhe sigurimin e transparencës së punës së secilit anëtar të komunitetit akademik. Ndër të tjera, ne, autorët e kësaj thirrje publike anëtarë të stafit akademik të UP-së, kërkojmë të përmirësohet infrastruktura ligjore dhe administrative për nostrifikimin e diplomave të fituara jashtë vendit në mënyrë që të mos vazhdohet të njihen diplomat e dyshimta dhe të lëshuara pa kriter.

 

Dalja nga rruga e errët e punës jocilësore si dhe mashtrimeve sistematike dhe shkeljeve të normave elementare të etikës shkencore e akademike nuk është e lehtë e as e shpejtë. Por, hapi i parë që duhet të ndërmerret nga institucionet përgjegjëse dhe individët e përgjegjshëm është t’i bëjnë të qarta kërkesat për sanimin dhe përmirësimin e gjendjes ekzistuese. Ne po e bëjmë këtë për universitetin më të madh në vend, i cili e ka një rol kyç në dhe për shoqërinë, të bindur se vazhdimi i status quo-s nënkupton, në fakt, ashpërsim të pushtimit aktual nga e keqja.

23 dhjetor 2013