Më 16 prill 2015, në kuadër të programit për fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese të shkencave sociale në Kosovë, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi takimin “Scientific Cafè I”. Takimi kishte për qëllim që problemet dhe sfidat e hulumtuesve të rinj e senior si dhe të të gjithë komunitetit akademik të Kosovës t’i adresojë përmes diskutimeve joformale. Folësit të cilët e ndanë përvojën e tyre si studiues jashtë vendit me një grup studentësh të interesuar nga fusha e shkencave shoqërore ishin: Pëllumb Kelmendi (Kandidat për Doktoraturë në Brown University SHBA), Avni Bytyqi (MA, Syracuse University, ShBA), Kushtrim Palushi (LL.M., University of Notre Dame, SHBA), Dafina Bucaj (LL.M., University of Cambridge, Mbretëri e Bashkuar) dhe Visar Ramaj (LL.M., Georgetown University, SHBA).
Diskutimi u fokusua në sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen studentët kosovarë, duke vazhduar me procedurat e aplikimit për studime jashtë vendit. Kështu, folësit e ngritën çështjen e një sistemi arsimor kosovar të mangët, i cili lë shumë për të dëshiruar kur është fjala për krijimin e shkathtësive të të menduarit, lexuarit e shkruarit kritik dhe refkektues, që janë edhe qëllimi i vërtetë i studimeve universitare. Për më tepër u theksua se këto shkathtësi janë kyçe për të arritur regjistrimin dhe përfundimin e një programi studimi, qoftë në sistemin arsimor amerikan apo në atë evropiano-perendimor.
Studentët të cilët ishin kthyer nga studimet jashtë vendit adresuan kritika se sistemi aktual i studimeve në Kosovë është duke promovuar një etikë të ulët të punës e cila nuk i aftëson studentët në masë të duhur për të hulumtuar në mënyrë të pavarur dhe kritike. Sipas folësve dhe pjesëmarrësve është shumë e rëndësishme që koncepti i studimeve në Kosovë të orientohet kah aftësimi dhe ndërtimi i shkathësive të studentëve dhe jo vetëm pajisja e tyre me njohuri rreth fakteve apo zhvillimeve nëpër fusha të ndryshme. Sipas tyre ky orientim do ta ngriste nivelin e përgatitjes akademike të studentëve e i cili do të rezultonte me zhvillim të gjithëmbarshëm të vendit.
Në këtë kontekst, folësit, duke ndarë përvojat personale, përshkruan se si studimet jashtë vendit i kanë ndihmuar në ngritjen profesionale dhe personale, ku edhe i ofruan studentëve të tjerë të pranishëm ndihmën dhe këshilla praktike mbi procedurat dhe kërkesat e plotësimit të aplikacioneve për përfitimin e bursave studimore të ndryshme si dhe mbi përgatitjen për testet e nevojshme.
Gjatë diskutimit, studentët u inkurajuan që të jenë pjesë e sa më shumë aktiviteteve jashtë-kurrikulore, si vlerë e shtuar e përgatitjes së tyre akademike e profesionale si dhe të kontaktojnë pa hezitim e të rrjetëzohen me studiuesit kosovarë nëpër universitetet e huaja. Theks i veçantë iu kushtua edhe fazës së përcaktimit për një specializim profesional, si një zgjedhje që duhet të frymëzohet pikë së pari nga kurreshtja profesionale akademike, por duke pasur parasysh po ashtu edhe nevojat e kërkesat e tregut kosovar të punës.
Në këtë pikë, folësit cilësuan se shpesh, pas përfundimit të studimeve në një ambient të huaj akademik, kthimi dhe integrimi në shoqërinë kosovare dhe në jetën e saj publike nuk është aspak i lehtë. Kjo për shkak të korrupsionit të lartë, sistemit jomeritokratik dhe klientelist që e përcjell sferën publike kosovare. Por, po ashtu u theksua se përfundimi i një programi studimi jashtë vendit mund të shërbejë si një katapultim i rëndësishëm në ndërtimin e një karriere profesionale akademike. Në diskutim gjithashtu u theksua se studiuesit për të ofruar kontributin e tyre jodomosdoshmërisht duhet të kthehen të jetojnë dhe veprojnë në vend. Ata mund të ofrojnë një kontribut të madh gjithashtu duke krijuar bashkëpunime mes institucioneve të jashtme ku veprojnë me institucionet e Kosovës, si p.sh. programe shkëmbimi mes profesorëve, hulumtuesve apo studenteve.
Studentët e kyçur në diskutim shprehën shqetësimin se shpesh studiuesit që kthehen në Kosovë pas përfundimit të një programi në universitete të huaja dhe bëhen pjesë e kuadrove vendore akademike nuk arrinë të transmetojnë të gjithë potencialin dhe ekspertizën e tyre profesionale tek studentët, kjo shpeshherë për shkak të angazhmit të tyre në disa njësi akademike apo edhe në jetën politike në vend. Kjo çështje u konsiderua si pjesë e problemeve më të thella strukturore me të cilat përballet sistemi arsimor Kosovë.