Më 9 dhe 10 mars 2017, CPC në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës (MAShT) organizoi trajnimin me temë ,,Shkrimi i propozimeve kompetitive për projekte të financuara nga Bashkimi Evropian” në Prishtinë – Kosovë.
Trajnimi, i cili u organizua posaçërisht për hulumtuesit kosovarë, mblodhi pjesëmarrës nga institucionet publike dhe private të arsimit të lartë e institutet kërkimore. Ekspertët spanjollë në Projektet e BE-së, znj. Eva Garea Oya, nga Universiteti i Vigos dhe z. Rafael de Paz, nga Universiteti i Leon, zhvilluan këtë trajnim dyditor.
Objektivi kryesor i këtij trajnimi ishte rritja e aftësive dhe njohurive të pjesëmarrësve se si të hartojnë projekte konkurruese në kuadër të thirrjeve të BE-së. Për më tepër, ky trajnim i ndihmoi pjesëmarrësit të identifikojnë skemat e projekteve të BE-së dhe të kuptojnë aspektet teknike dhe buxhetore të projekteve të financuara nga BE-ja.
Në trajnimin dyditor morën pjesë gjithsej njëzet persona, të ardhur nga institucione të ndryshme të Kosovës. Gjatë gjithë trajnimit, pati disa shembuj praktikë dhe ndërveprime ndërmjet trajnerëve dhe pjesëmarrësve, metodologjia e të cilave u prit dhe u vlerësua mirë. Sa i përket statistikave të pyetësorit të vlerësimit, mbi 65% e pjesëmarrësve ishin shumë të kënaqur me trajnimin ndërsa pjesa tjetër (35%) u deklaruan të kënaqur me cilësinë dhe organizimin e trajnimit.
Gjatë trajnimit u analizuan burimet përkatëse të financimit të BE-së, cikli i projektit dhe qasjet, vendosja e një projekti të ri të BE-së, formulimi dhe hartimi i projektit. Përveç kësaj, trajnimi ofroi një theks në ndikimin e projektit, pakot e punës, financimin dhe aspektet buxhetore si dhe fazat e zbatimit të projektit.