Më 24 tetor 2018, Qendra për Kurajo Politike (CPC) me mbështetje nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, organizoi tryezën diskutuese me temë ,,Integriteti dhe etika në arsimin e lartë” e cila u mbajt në Biblotekën Kombëtare të Kosovës ,,Pjetër Bogdani”. Tryeza diskutuese u organizua me qëllim të debatimit mbi çështjet që lidhen me integritetin dhe etikën në arsimin e lartë; rregullimin normativ; gjendjen ekzistuese dhe zhvillimet në Universitetin e Prishtinës ,,Hasan Prishtina” (UP) si dhe të gjeturat e shoqërisë civile dhe hapat që do të mund të ndërmerreshin drejt promovimit të integritetit dhe etikës në arsimin e lartë.
Përkundër rëndësisë dhe aktualitetit të temës, në tryezë është vërejtur mungesa e menaxhmetit të UP-së, anëtarëve të Këshillit të Etikës së UP-së, ndërsa numri i pjesëmarrësve nga stafi akademik ishte simbolik, gjë që tregon për mosgatishmërinë dhe hezitimin që të debatohet me palët që kanë identifikuar mungesën e integritetit akademik, siç është shoqëria civile. Kohëve të fundit organizata të ndryshme kanë publikuar një numër raportesh ku vëhet në pah mungesa e integritetit dhe etikës nga disa pjestarë të stafit akademik, p.sh duke qenë të involvuar në plagjiarizëm.
Përfaqësuesja e njërës nga organizatat-,,Admovere” që së fundi ka publikuar një raport lidhur me plagjiaturat, i prezantoi të gjeturat e raportit ,,Stafi akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë”. Ajo shpalosi disa raste të plagjiaturave në UP të cilat janë bërë të ditura ndër vite mirëpo deri më tani nuk janë ndërmarrë masa gjegjëse.
Gjatë debatit pjesëmarrësit theksuan që si rrjedhojë e integritetit dhe etikës së munguar akademike shpesh ndodh edhe aplikimi i normave në mënyrë selektive dhe arbitrare. Kështu p.sh. gjatë procesit të avancimeve akademike marrja për bazë e kritereve ndryshon varësisht nga rasti në rast. Ndonjëherë merret për bazë vetëm përmbushja e kritereve formale e ndonjëherë ato të cilësisë së punimeve. Gjithashtu, gjatë tryezes u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, si p.sh. në Shqipëri, ku është ndërmarrë iniciativa për verifikimin e titujve shkencorë si një përvojë relevante edhe për Kosovën.
