Seminar: Bazat e mendimit kritik dhe integritetit akademik për studime universitare dhe aktivizëm studentor, 14 – 15 mars 2019

Më 14 dhe 15 mars 2019, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi seminarin „Bazat e mendimit kritik dhe integritetit akademik për studime universitare dhe aktivizëm studentor”. Pjesëmarrës në seminar ishin rreth njëzet studentë nga universitete të ndryshme publike dhe kolegje private në Kosovë, të përzgjedhur përmes thirrjes së hapur për aplikim.  Ky seminar u ligjërua nga Dr. Pëllumb Kelmendi, Profesor Asistent në Departamentin e Shkencës Politike, ,,Universiteti Auburn” në Alabama të ShBA-së.

Tema kyçe e këtijë seminari ishte mendimi kritik dhe integriteti akademik, duke përfshirë mes të tjerash edhe pohimet, argumentimet, analogjitë, dhe paraqitjet grafike. Përveç ligjëratave dhe debateve, pjesëmarrësit u angazhuan edhe në punë në grupe dhe analizuan në praktikë përmbajtjen e eseve gjegjëse. Në përmbyllje Dr. Kelmendi shpalosi përvojën e tij gjatë studimeve me bursë në disa prej universiteteve më prestigjioze në ShBA dhe ofroi informacione shtesë rreth mënyrës së aplikimit dhe përmbajtjes që duhet të kenë parasysh studentët gjatë përpjekjes së tyre për të fituar bursë për studime.

Ky seminar u organizua në kuadër të projektit „Mendo globalisht, vepro lokalisht – Seri e seminareve mbi mendimin kritik dhe integritetin akademik”. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është rritja e vetëdijës së studentëve dhe zgjerimi i horizonteve të tyre për cilësinë që do të duhej të ofronin studimet dhe arsimi i lartë. Po ashtu me këto aktivitetete synohet krijimi i një rrjeti të të rinjve që do t’i aplikonin njohuritë dhe përvojat e përfituara nga seminaret gjatë studimeve dhe punës së tyre.

Projekti „Mendo globalisht, vepro lokalisht – Seri e seminareve mbi mendimin kritik dhe integritetin akademik” mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Tranparencë në Universitet (KITU).