Seminar: Teknikat, etika dhe përdorimi i dijes akademike, 13 – 14 qershor 2019

Më 13 dhe 14 qershor 2019, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi seminarin „Teknikat, etika dhe përdorimi i dijes akademike”. Në këtë seminar morën pjesë studentë nga universitete të ndryshme publike dhe kolegje private në Kosovë, të përzgjedhur përmes thirrjes së hapur për aplikim. Seminari u ligjërua nga Dr. Gëzim Visoka, asistent profesor i studimeve të paqes dhe konfliktit në Universitetin Dublin City (DCU), në Irlandë.

Tema kyçe të këtij seminari ishin: kërkimi shkencor, teknikat dhe metodologjitë për të kryer një kërkim shkencor, etika gjatë punës hulumtime, avokimi i bazuar në evidencë kërkimore dhe mënyrat e ndryshme të ndikimit në ndryshimin e shoqërisë përmes dijes kërkimore. Aktivitetet në grupe kanë përfshirë shqyrtimin e disa raporteve kërkimore ku u analizuan ontologjia, epistemologjia, metodologjia, gjetjet kryesore, implikimet politike dhe shoqërore dhe aspektet e dobëta dhe të forta të kërkimit të raporteve respektive. Gjithashtu, Dr. Visoka ndau me studentët përvojat personale lidhur me aktivitetet e tij kërkimore dhe akademike të cilat ishin frymëzuese dhe interesante për pjesëmarrësit

Ky seminar u organizua në kuadër të projektit „Mendo globalisht, vepro lokalisht  –  Seri e seminareve mbi mendimin kritik dhe integritetin akademik”. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është rritja e vetëdijes së studentëve dhe zgjerimi i horizonteve të tyre për cilësinë që do të duhej të ofronin studimet dhe arsimi i lartë. Po ashtu me këto aktivitetete synohet krijimi i një rrjeti të të rinjve që do t’i aplikonin njohuritë dhe përvojat e përfituara nga seminaret gjatë studimeve dhe punës së tyre.

Projekti „Mendo globalisht, vepro lokalisht – Seri e seminareve mbi mendimin kritik dhe integritetin akademik” mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Tranparencë në Universitet (KITU).