Erleta Rrmoku
Arsimi i lartë është një nga komponentët kryesor për të shtyrë përpara ndryshimet shoqërore ekonomike e politike në një vend në tranzicion siç është Kosova. Rikonsolidimi i sistemit arsimor në periudhën e pasluftës ka rritur numrin e vendeve të punës dhe gjegjësisht edhe atë të punonjësve profesionalë duke ndikuar në përmirësimin e jetës shoqërore dhe ekonomike. Gjatë kësaj periudhe, si gjithë sferat tjera, edhe arsimi i lartë është sfiduar në cilësinë, efektshmërinë dhe profesionalizmin e tij. Studimet universitare janë përballur me kritika rreth paaftësisë së institucioneve për të siguruar cilësi dhe korrektësi në këtë aspekt.
Politikëbërja duhet të fokusohet më shumë në drejtim të planifikimit dhe përshtatjes së arsimit të lartë me sistemin parauniversitar dhe këtë mund ta bëjë në shumë mënyra konkrete. Duhet pasur parasysh se një ndër shqetësimet kryesore të studentëve gjatë dhe pas studimeve është gjetja e një pune në përputhje me aftësitë e fituara gjatë studimeve. Në drejtimet e shkencave shoqërore, numri i lartë i studentëve dhe pamjaftueshmëria e vendeve të punës për këto drejtime, ua vështërson të diplomuarëve ushtrimin e profesionit në të cilin janë profilizuar. Si rezultat i mos-balancit mes fuqisë punëtore të kualifikuar dhe tregut të punës, të rinj me kualifikime universitare mbesin të papunë ose detyrohen të punësohen jashtë profesionit tyre. Si përgjigje ndaj kësaj situate, politkat udhëheqëse mund të krijojnë një skemë të detajuar për orientim të studentëve në fusha më pak të eksploruara dhe me shumë të nevojshme për tregun e punës. Plane të tilla të mirëmenduara mund të zhvillohen në dy drejtime: të nxitet zhvillimi i fushave të reja të studimit dhe të krijohen vende të punës për ato kuadro të cilat aftësohen në drejtime specifike p.sh. në mjekësi, teknologji apo industri.
Megjithatë, do të ishte mangësi nëse do ta reduktoja këtë çështje vetëm në aspektin instutucional e politikbërës, sado i rëndësishëm të jetë ky. Fokusimi i tepërt në çështjet e reformave politike dhe pritshmëritë ndaj këtyre reformave, ka larguar vëmendjen e publikut nga situatat shqetësuese me të cilat ballafaqohen akterët e arsimit të lartë e të cilat veçse janë shëndruar në përditshmëri dhe fatkeqësisht merren si të mirëqena. Pra, në vend se të presim të ndodhë një progres revolucionar në institucionet tona universitare, gjë e cila nuk pritet të ndodhë së shpejti, duhet të përpiqemi që nga vetë brenda institucioneve të punojmë në eliminimin e fenomeneve negative të cilat ulin cilësinë e punës së profesorëve e stafit administrativ dhe cilësinë e mësimnxënies nga ana e studentëve.
Në këtë kontekst, do të duhej një analizë sociologjike më e detajuar ndaj studentëve për të vlerësuar raportin që ata kanë me studimet e tyre në përgjithësi, dhe me profesorët në veçanti. Nëse nisemi nga kjo e fundit, raporti student dhe profesorë, do të thoja se ekziston një keqkuptim në mënyrën se si duhet ndërtuar ky raport. Ky keqkuptim vjen sidomos nga ana e studentëve, të cilët nuk janë të inkurajuar të tregohen më këmbngulës ndaj profesorëve apo stafit administrativ në rast se ndjejnë se kërkesat e arsyeshme dhe legjitime të tyre nuk plotësohen. Në përditshmërinë e pakënaqësive dhe nevojave të papërmbushura, tejkalimi dhe neglizhimi i këtyre kërkesave kthehet në diçka normale nëpër të cilën mendohet se duhet të kalojë secili student.
Në drejtimin ku unë studioj mund të dëgjosh ankesa të pafundme nëpër korridoret e fakultetit, duke filluar prej pakënaqësive rreth ambienteve të punës, mungesës së librave, lëndëve të panevojshme, mosmarrëveshjeve me profesorët; pakënaqësi që ndonjëherë adresohen në vendin e tyre përkatës e ndonjëherë edhe jo. Ajo që më tërheq vëmendjen më se shumti në këtë mes, është se si përpjekjet tona si studentë për të ndërmarrë diçka konkrete, janë minimale në krahasim me paknaqësinë tonë të përgjithshme ndaj situatës. Se si pikërisht pas gjithë kësaj kohe, nuk kemi arritur të fitojmë një kulturë reagimi kritik dhe racional dhe se si nuk kemi qenë çdoherë të inkurajuar dhe të mirëpritur nga stafi universitar edhe kur është bërë një gjë e tillë.
Në rrjedhën e historisë, sidomos asaj të shekullit të kaluar, aktivizmi studentor ka vepruar si instrument me ndikim të lartë për ndryshimet sociale, politike e ekonomike. Lëvizje studentore si ato të viteve 1968-69 të cilat shpërthyen në vende të ndryshme të botës, i dhanë një frymë të re rregullimit politik e social; demonstratat e viteve të 80-ta të nisura nga studentët në Prishtinë krijuan efekte të paimagjinueshme në historinë e ish-Jugosllavisë; ndërsa sot aktivizmi i studentëve në Evropë për çështjet e mjedisit e në ShBA për çështjen e ndalimit të armëve ka marrë vëmendje maksimale në luftimin e këtyre dukurive. E them këtë për të vënë në pah se ndryshimet që burojnë nga vetë shoqëria e sidomos nga studentët janë ato më të qëndrueshmet dhe më domethënëset për shoqërinë. Megjithatë, në rastin e reformave në sistemin arsimor me fokus atë të lartë, nuk është domosdoshmërisht e nevojshme që iniciativa të tilla të mbledhin qindra apo mijëra studentë, e as që këto iniciativa të jenë në formën e protestave apo marshimeve, sepse në të shumtën e rasteve nuk ekziston një mobilizim i tillë. Është ndryshimi progresiv vetë brenda institucioneve që mund të rezultojë më i efektshëm në zbehjen e problemeve shqetësuese dhe përmirësimin e gjendjes. Kjo do të kërkonte përkushtim dhe vullnet të të gjithë akterëve në institucionet universitare sidomos studentëve për të kontribuar qoftë edhe në formë simbolike përmes bashkëpunimit dhe përkrahjes së njëri-tjetrit në evidentimin e problemeve ekzistuese. Pastaj, funksionalizim më serioz i organeve kompetente universitare për të trajtuar dhe zgjidhur me paanshmëri problemet e parashtruara nga ana e studentëve, në mënyrë që të stimulohet një bashkëpunim dhe komunikim efikas mes stafit universitar dhe studentëve. Ndërsa, profesorët janë ata të cilët përpos se duhet të jenë më vigjilentë ndaj kërkesave të studentëve dhe përmbushjes së tyre, duhet edhe të kërkojnë më shumë punë prej tyre duke u bazuar në praktikat e universiteteve evropiane të cilat nxisin mendimin kritik dhe vlerësimin e vazhdueshëm me qëllim të përmirësimit të performancës së studentëve.