Ese: Sfidat në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë

Egzona Krasniqi

Arsimi i lartë në Kosovë po përballet me sfida të vazhdueshme të cilat po rezultojnë të jenë pengesë në ngritjen e cilësisë. Në këto sfida ta mund të përfshijmë mungesën e literaturës, numrin e lartë të studentëve si dhe mungesën e punës praktike si pjesë e programeve të studimit.

Mungesa e literaturës dhe/ose literatura joadekuate për lëndë të caktuara rezulton në uljen e cilësisë së studimeve, për vetë faktin se kjo i detyron studentët të mësojnë nga një dispensë, nga sllajdet e përgatitura nga profesorët ose edhe të marrin informacione të gatshme nga studentët e viteve të mëparshme. Shpeshherë te ne librat zëvendësohen me dispensa ose vetëm disa materiale relevante për lëndë, e fatkeqësisht kjo fare nuk të jep ndjesinë e studimeve serioze e të thelluara. Bazuar në një hulumtim të bërë në Preportr thuhet se nga 299 lëndë obligative të verfikuara në Universitetin e Prishtinës , rreth 73 prej tyre mësohen vetëm me dispensa, 44 kanë literaturë alternative dhe 174 kanë libra bazë. Kjo dukuri do të mund të redikutohej nëse profesorët do të ishin angazhuar më shumë në shkrimin e punimeve shkencore dhe librave akademikë, të cilët do t’i pasuronin bibliotekat e fakulteteve. Një alternativë tjetër që do i kontribuonte zgjidhjes së problemit të literaturës është edhe mundësia e të pasurit qasje në biblioteka elektronike dhe literaturë ndërkombëtare, gjë të cilën Universiteti i Prishtinës nuk e ofron.

Të jesh student në Kosovë pothuajse e ka humbur kuptimin, pasi studimet janë bërë trend e jo nevojë për zhvillim e profesionalizim. Numri i studentëve është shumë i lartë dhe ai është rritur vazhdimisht ndër vite. Siç konstatohet në një publikim nga Friedrich Ebert Stiftung, Analizë e sistemit arsimor në Kosovë nga 40,000 studentë në vitin 2004, ky numër është rritur në 122,000 studentë në vitin 2015. Për 100,000 banorë Kosova ka 6,669 studentë, gjë që përbën dyfishin e mesatares në Bashkimin Evropian. Kjo shifër është me të vërtëtë shqetësuese, pasi nuk është në proporcion me stafin akademik, infrastrukturën e të gjitha burimet e tjera të nevojshme. Si pasojë e kësaj arsimi i lartë në Kosovë po prodhon kuantitet e jo kualitet. Bazur në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë për vitin 2017-2021 thuhet që deri në vitin 2019 raporti Staf Akademik – Student duhet të jetë 1:40. Por, fatkeqësisht kjo ende nuk është realizuar dhe nuk duket askund në horizont. Një numër më i ulët i studentëve do krijonte mjedis më të favorshëm për mësimnxënie, po ashtu kjo do ofronte hapërsirë për të gjithë studentët në mënyrë që ata ti shprehnin dhe realizojnë kërkesat e tyre për t’u aftësuar dhe fituar kompetencat e nevojshme. Numri i studentëve mund të reduktohet me ngritjen e kritereve të pranimit në fakultete. Po ashtu edhe ngritja e numrit të stafit akademik do e zbehte problemin e numrit te lartë të studentëve.

Kosova vazhdon të mbetet një ndër vendet më të varfëra në rajon. Papunësia është faktori kyç që shkakton varfërinë. Shkaktar të papunësisë nuk janë veç faktorët ekonomikë e socialë, por edhe mungesa e kualifikimit dhe mospërshtatja e shkathtësive për punën e kërkuar.

Mungesa e praktikës si pjesë e programeve te studimit në Universitetin e Prishtinës vazhdon të mbetet problem të cilit nuk po i ofrohet zgjidhje. Në një hulumtim të realizuar nga Qendra për Arsim e Kosovës tregohet se si disa fokus grupe të studentëve janë pajtuar që puna praktike është e mangët, po ashtu edhe disa të intervistuar në cilësinë e profësorëve, gazetarëve dhe perfaqësues nga shoqëria civile thonë se aspektet praktike mungojnë në masë të madhe. Ndërkaq, mungesën e shkathtësive po e shohin si pengesë shumë të madhe edhe bizneset në Kosovë. Sipas një studimi të realizuar në 2017 nga Grupi i Bankës Botërore, Diagnoza e vendeve të punës në Kosovë mes faktorëve të punës, më kufizuesi është gjetja e punëtorëve me përvojë të mëhershme (36 për qind), disponueshmëria e fuqisë punëtore dhe ,,arsimi teknik dhe i specializuar dhe trajnimi” (22 për qind secili), ndërrimi i shpeshtë i vendeve të punës (21 për qind) dhe arsimi i përgjithshëm i punëtorëve (18 për qind).

Krahasuar me mundësitë e punës praktike që ofojnë vendet e zhvilluara, Kosova është  shumë prapa. Gjermania e ka të obliguar punën  praktike në shumë programe të studimit, përveç kësaj ajo ofron edhe mundësinë e studimeve duale. Vendosja në punë gjatë studimeve bëhet në koordinim me kompani të ndryshme, në mënyrë që studentët të mund të profesionalizohen dhe të përgatiten për tregun e  punës. Siç paraqitet në një studim të DAAD kjo u mundëson atyre që të familjarizohen më shumë edhe me punëdhënësit. Edhe pse Kosova ndoshta nuk ka kapacitete të mjaftueshme pët t‘i ofruar këto mundësi, të paktën mund të angazhohet në formimin e një numri më të madh të qendrave për këshillim, të cilat do mund t’i orientonin studentët  në gjetjen e punës praktike.

Të gjitha sfidat e përmendura më sipër kërkojnë kohë dhe kushte për t‘u zgjidhur. Buxheti i ulët që i ndahet arsimit të lartë, është faktor i rëndësishëm për mosrealizimin e kërkesave të përmendura më sipër. Siç paraqitet në një analizë të publikuar nga ,,Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA” në janar 2020, Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë, buxheti i ndarë për Universitetin e Prishtinës si institucionit më i lartë i arsimit publik në Kosovë, për vitin 2019 kishte qenë rreth 34 milionë euro. Prej kësaj shume rreth 61 % shpenzohet vetëm për paga dhe meditje të profësorëve, ndërsa rreth 3. 3 milionë euro shpenzohen për mbinorma dhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Ndërkaq me 3. 3 milionë euro, Universiteti i Prishtinës do të mund t’i punësonte 247 profesorë asistentë gjë që do të shënonte rritje prej 50% të stafit ekzistues akademik.

Nëse sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të funksionojë në mënyrë të njëjtë apo ngjashme si deri më tani, pasojat do të jenë të pakompensueshme dhe ato do të përcjellen në shumë gjenerata. Që tani do të duhet shumë kohë e energji që universitetet të rigjenerohen nga pasojat e shkaktuara nga mungesa e mbështetjes dhe keq-qeverisjet. Shoqëria civile në përgjithësi duhet të angazhohe maksimalisht, në mënyrë që kjo çështje ta ketë vëmendjen e opinionit publik dhe të gjitha organeve përgjegjëse. Mirëpo, megjithatë zgjidhja e problemeve dhe ngritja e cilësisë mbetet kryesisht, për të mos thënë eksluzivisht, në dorë të politikë-bërësve dhe të stafit akademik.