Shprehja që më së shumti dëgjohet të përdoret kur trajtohet çështja për një arsimim më cilësor në përgjithësi në Kosovë, është ,,ne duhet”. Me ,,ne duhet” i qasemi problemit në aspektin ideal, duke shprehur rekomandime e sugjerime të cilat synojnë të shpalosin rrugën që duhet ndjekur, në mënyrë që të arrihen ato rezultate që dëshirohen për t’i dhënë zgjidhje problemit. Duket sikur një përpjekje vetëm në teori për të evidentuar dukuritë negative që e ngulfasin arsimimin cilësor në shoqërinë tonë e që me rekomandimet e propozuara mbaron puna. Ka ardhur koha t’i qasemi sfidës për të arritur një arsimim më cilësor më konkretisht, hap pas hapi. Meqenëse arsimimi është zinxhir koherent që funksionon bashkërisht për të lëvizur ,,motorin e shoqërisë”, atëherë secili duhet t’ia fillojë nga vetja e vet.
Cilësia momentale që kemi në arsim është rrjedhojë e rrethanave shoqëroro politike si dhe (mos-) punës ndër vite të gjeneratave përgjatë historisë. Nuk është realist ai që pret që brenda një periudhe të shkurtër, të arrihet ai niveli i evoluimit të arsimit që do të ishte i kënaqshëm krahasuar me vendet e zhvilluara perëndimore. Po ashtu nuk mund të quhet optimizëm surreal arritja e atij niveli sepse referenca krahasuese e gjendjes që kemi nuk mund të bëhet me vendet që qëndrojnë edhe më dobët se sistemi i arsimit në Kosovë. Dhe po, mund të quhet i dështuar ai ose ajo që është dorëzuar në përpjekjet për ta çuar arsimin në piedestalin që e meriton. Nëse zbërthehet shoqëria nga më e përgjithshmja te ajo individualja, vërehet se është përgjegjësi individuale e gjithsecilit që punën e tij ta kryejë me përpikëri, duke mos bërë fare asnjë tolerim ndaj fenomenit të paaftësisë për hatër të nepotizmit apo klientelizmit, si dy dukuri erozive të një arsimimi më cilësor në vendin tonë. Prindi, që përfaqëson familjen, studenti që përfaqëson kuadrin dhe universiteti që përfaqëson tempullin e dijes do të jenë shtyllat kryesore që do të shqyrtohen në këtë minianalizë.
,,Asnjë prind nuk është i lumtur ta shohë fëmijën e tij të mjerë apo të frustruar. Kjo është arsyeja pse shumë prindër bëjnë gjithçka që munden për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga pengesat dhe dështimet. Gjithmonë mbrojtja e një fëmije nga shqetësimi dhe dështimi nuk është një ide e mirë.”
Ky është rekomandim i dalë nga një hulumtim i bërë prej ,,The Center for Parenting Education” në Shqipëri. Fenomeni ku studenti futet në provim dhe prindi i ndihmon në kopjim është tejet shqetësues në shoqërinë tonë. Shkak është siç duket një lloj keqkuptimi i marrëdhënies prind-fëmijë, ku shpesh bien të gjitha normat shoqërore dhe dalin në pah instinktet prindërore. Por pasojat janë enorme në përgatitjen intelektuale e profesionale të kuadrove që dalin prej sistemit arsimor. Ti si prind po kontribuon që fëmija yt nesër të mos i bëjë ballë konkurrencës së ashpër të tregut të punës dhe të mos jetë i shkathët për ta kryer punën e tij siç duhet në të ardhmen. Andaj, qasja do të duhej të ishte jo ,,ne duhet” por ,,ne do të” ndalojmë si prindër të bëjmë një gjë të tillë.
,,Sipas një anketimi të kryer me 1500 studentë të UP-së nga instituti “EdGuard”, rezulton se kopjimi vazhdon të jetë i pranishëm në UP. Të pyetur se ‘sa prej studentëve në fakultetin/departamentin tuaj mendoni se e përdorin kopjimin gjatë provimeve’, 27.14 % thonë një numër i madh i studentëve, 26.73 % thonë rreth gjysma e studentëve, 36.60 % thonë një numër i vogël i studentëve, 3.47 % thonë asnjë student, 1.50 % thonë të gjithë studentët dhe 4.56 % thonë se nuk e dinë.”
Të qenurit student/e është status që vjen një herë në jetë, dhe po e shfrytëzove në maksimum si fazë përgatitjeje për t’u bërë një profesionist i vërtetë i fushës që studion, do t’ia dalësh që punën ta shndërrosh në pasion në të ardhmen. Kopjimi gjatë provimeve të lë gjysmak në dije. Ndihmesa ndaj studentëve tjerë në provime bën që i pamerituari nesër të zë vendin e punës që ti e meriton. Andaj jo ,,ne duhet” por ,,ne do të” ndalojmë si studentë, nga sot e tutje, ta mbështesim këtë dukuri të shëmtuar pasojat e së cilës do t’i vuajnë gjenerata të tëra pas nesh.
Për më tepër anketimet e studentëve të UP-së tregojnë që:
,,një pjesë e madhe e profesorëve i testojnë studentët me të njëjtin test për disa afate radhazi dhe se një gjë e tillë vetëm sa e nxit kopjimin.”
Barra kryesore e përgjegjësisë së dështimit të sistemit arsimor në Kosovë është e mësuesve dhe profesorëve. Politikanëve bëjua sa të duash me gisht për fajin që mund ta kenë. Interes i tyre është vazhdimi i mandatit të pushtetit në zgjedhjet e radhës dhe nuk kanë shfaqur aspak ndjeshmëri në përmirësimin e gjendjes së mjerë në shumë aspekte në arsim. Ju takon profesorëve, dhe vetëm profesorëve, që të luftojnë me zero tolerancë ndaj dukurive të këqija, që të japin maksimumin nga vetja, që detyra e tyre e shenjtë të kryhet ashtu siç e do e mira e përgjithshme e shoqërisë. E kur jemi tek e mira e përgjithshme e shoqërisë, kuadri cilësor i denjë i prodhuar nga sistemi arsimor është alfa dhe omega e saj. Andaj, assesi ,,ne duhet” por ,,ne do të” rrisim nivelin e përgjegjësisë që të jemi profesorë ashtu siç i ka hije kësaj detyre. Ndryshimet nuk vijnë me fjalë por me vepra. Cilësia në arsim nuk rritet duke pritur nga të tjerët, por duke filluar nga vetja. Andaj JO ,,ne duhet”, e PO ,,ne do të”.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ,,Drejt një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës në Kosovë” mbështetur nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Qendra për Kurajo Politike. Përmbajtja e esesë është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
Për autorin
Eris Jashari është student i vitit të dytë në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Shkencës Politike. Prej 2012 deri 2017 ai ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës si zyrtar policor. Ka trajnime të kryera në fushën juridike me theks të veçantë në çështjet penale dhe është i diplomuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.