Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala student definohet: ,,Ai që ndjek mësimet në një shkollë të lartë”. Por, nëse kthehemi në histori, studenti nuk mund të përkufizohet vetëm në të riun i cili ndjek mësimet në një shkollë të lartë, kolegj apo universitet. Dhe këtu do ndalem te dy vende, Kosova dhe Shqipëria. Shqipëria ishte vend diktatorial për 46 vite, e kryesisht mendohet se në një vend që ka qenë në diktaturë, populli e ka të vështirë të revoltohet. Por, studentët atje e provuan të kundërtën. Në vitin 1990 ishte Lëvizja Studentore ajo që më anë të protestave sollën demokratizimin e Shqipërisë. Ndërsa në Kosovë, studentët ishin ata që prinë në protestat e ’68-ës, ’80-ës e ’97-ës, për arsim dhe kushte më të mira, në kohën kur atyre iu mohoheshin të drejtat elementare prej regjimeve të kohës. Studentët ishin katalizatori i ndryshimeve progresive po edhe në ballë të rezistencës kombëtare. Edhe pas 1999 studentët i kemi parë shumë herë të revoltuar, me aksione e protesta për të kërkuar arsim më cilësor, kundër degradimit të universitetit dhe për mirëqenien e vetë studentëve. Pra, në një mënyrë ata janë forca që sfidon status quo-në. E kjo ka emër: Organizim studentor.
Studentët e organizuar në lëvizje studentore tashmë shumëherë kanë treguar që janë zëri kritik në universitet e shoqëri. Për shembull, së fundi në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014 në Kosovë studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në protesta kundër integritetit të munguar bazik gjithandej te shumë mësimdhënës dhe persona në pozita udhëheqëse brenda vet universitetit. Në Shqipëri në dhjetor të vitit 2018, mijëra studentë dolën në rrugët e Tiranës, për të kërkuar ulje të tarifave në shkollim, kushte më të mira jetese në konvikte dhe përfshirjë më të madhe të studentëve në proceset vendimmarrëse. Megjithëse jo të gjitha kërkesat u plotësuan, studentët treguan që ata duhet të jenë palë në të gjitha vendimet që i afekton ata dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet. Ata e dhanë një mësim demokracie.
Nuk është vetëm Arsimi i Lartë ai që ka nevojë për reforma. Arsimi në Kosovë në përgjithësi është në krizë. Shkollimi joadekuat që na ofrohet ne nxënësve të shkollave të mesme reflektohet edhe në Arsimin e Lartë. Shumë shpesh dështohet që shkolla e mesme t’i përgatitë nxënëxit për studime apo për tregun e punës. Rezultatet e testit PISA tregojnë se 66% e nxënësve 15 vjeçarë në Kosovë nuk dinë të lexojnë siç duhet. Kjo tregon se sa alarmante është gjendja.
Për të gjitha këto, gishti drejtohet kah ata (vendimmarrësit), kritikohen profesorët dhe mësuesit ndërsa pala e cila më së shumti ndikohet nga kjo gjendje e mjeruar e arsimit, pra nxënësit, janë të heshturit. Në Kosovë nuk ka një lëvizje të nxënësve të shkollave të mesme, gjithëpërfshirëse, e cila do të adresonte nevojat e nxënësve por edhe do të ishte pjesë e proceseve vendimmarrëse. Në shkollat e mesme ekzistojnë Këshillet Rinore të cilat më shumë janë për t’u dukur se shkollat përfshijnë nxënësit si strukturë në vete sesa të dëgjojnë në realitet zërin e tyre. Nga përvoja personale, duke qenë pjesë e Këshillit Rinor, nxënësit dëgjohen vetem deri në masën që nuk ndikon te stafi drejtues i shkollës dhe profesorët. Nxënësit ende shihen si ,,robotë” dhe se duhet t’iu binden fjalëve të tyre pa pasur të drejtë për të kritikuar, propozuar e për t’u përfshirë në procese vendimmarrëse. ,,Detyra jonë është të mësojmë, me të tjerat merren ata”! Kështu na është mësuar prej fillimit. Tani në pandemi është vërejtur edhe më shumë se sa e nevojshme është një lëvizje studentore në shkollat e mesme. Lidhur me skenarët e fillimit të vitit shkollor, vendosën Ministria dhe institucionet shëndetësore. Nxënësit asnjëherë nuk u pyetën se si duhet proceduar tutje, çfarë do të mund të përmirësohej në vitin shkollor 2020/21 duke u nisur nga përvoja tremujore me mësimin online që u zhvillua në gjysmën e parë të vitit 2020. Në shkollën ku unë vijoj mësimet, një peticion lidhur me atë se me cilin skenar sugjerojmë të fillojmë këtë vit, të cilën ne nxënësit planifikuam t’ia drejtojmë Ministrisë së Arsimit, ngjalli reagime të shumta nga stafi drejtues i shkollës dhe shumë profesorë. Meqë nuk ishin mësuar që nxënësit të ngrisnin zërin për çështjet që i prekin direkt ata, kjo u pa si një kundërvënie ndaj vetë profesorëve. Kur Këshilli Drejtues i shkollës foli, nxënësit u zmbrapsën. Mendësi provinciale e instaluar në shkollat tona, e me pasoja afatgjate për gjithë shoqërinë.
Por, organizimi studentor në shkollat e mesme nuk është diçka kozmike. Ka shembuj në rajon dhe botë, që nxënësit kanë lëvizje të tyre. Kjo pasi arsimi nuk mund të reformohet pa qenë edhe nxënësit pjesë e atij procesi. Mësim që politika kosovare kurrë nuk e mori. Në Maqedoninë e Veriut tashmë është themeluar Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, i cili funksionon gjithandej vendit. Sot atje nuk merren vendime për arsimin e mesëm pa u konsultuar me Unionin. Ata mbrojnë të drejtat e nxënësve, japin propozime, ngrisin zërin për reformat që duhet të ndodhin në arsim. Në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut ata hartuan një memorandum prej pesë pikave për reformat në arsim drejtuar partive politike që garuan në zgjedhje ndaj të cilave pika, duhet të zotoheshin se do ju përmbaheshin. Zëri i kësaj Lëvizjeje Studentore u dëgjua deri në Parlament. Në këtë mënyrë ata e kanë transformuar idenë e të qenurit nxënës.
Edhe Kosova ka nevojë për një Lëvizje Studentore të tillë në shkollat e mesme, ku nxënësit janë palë në procesin e reformimit të arsimit dhe jo spektatorë; ku zëri i tyre ka po aq peshë sa edhe i vendimmarrësve. Sidomos për një shtet në tranzicion siç është Kosova, është e nevojshme që edhe nxënësit të mësohen nga fillimi që të jenë zë kritik në shoqëri në mënyrë që në të ardhmen të jenë qytetarë të dinjitetshëm. Po aq urgjente sa janë reformat përmbajtësore në arsim duke filluar nga përmbajtja e plan-programeve mësimore, objektet shkollore, e deri tek ,,vetting” për profesorë, po aq e nevojshme është një Lëvizje Studentore në shkollat e mesme, nga nxënësit për nxënësit.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ,,Drejt një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës në Kosovë” mbështetur nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Qendra për Kurajo Politike. Përmbajtja e esesë është përgjegjësi e vetme e autores dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
Për autoren
Armela Hajra është nxënëse në vitin e tretë në Gjimnazin ,,Frang Bardhi”, drejtimi i shkencave natyrore në Mitrovicë. Që nga mosha 13-vjeçare ajo ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme, seminare dhe aktivitete brenda dhe jashtë vendit. Fushat në të cilat ajo është e interesuar janë të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe fuqizimi i të rinjve.