Ese: Faktorët me ndikim në përformancën e dobët të nxënësve nga Kosova në testin PISA

Për çdo të tretin vit që nga viti 2000, Organization for Economic Co-operation and Development (OECD) mban testin Program for International Student Assessment (PISA) për të vlerësuar nivelin e njohurive tek nxënësit 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë. Këtij testi i nënshtrohen nxënësit e përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga më shumë se 70 shtete. PISA konsiderohet si burim kryesor i informacionit për të filluar ndryshimin e politikave në të gjitha sistemet arsimore (OECD, 2009; Carvalho, 2012). Këtu përfshihet edhe ai i Kosovës, shtet ky që mori pjesë në vlerësim për herë të parë në vitin 2015 duke u renditur në pozitën e tretë me përformancën më të dobët. Në po të njejtën pozitë është renditur edhe në vitin 2018. Edhe pse Kosova ka kaluar nëpër reforma të vazhdueshme arsimore që nga viti 2001, në mënyrë që të jetë në të njëjtin hap me inovacionet arsimore evropiane (Rrustemi & Atanasoska, 2020), duket se ato nuk kanë rezultuar me suksesin e pritur. Kjo për faktin se gjendja e rëndë e sistemit arsimor varet edhe nga faktorë të tjerë. Politizimi i këtij sistemi, standardi i ulët për mësimdhënësit dhe motivimi i ulët tek nxënësit, janë disa prej faktorëve kryesor që ndikojnë në përformancën e dobët akademike.

Përkufizimi i korrupsionit në arsim përfshin keqpërdorimin e autoritetit për përfitime personale dhe materiale (Heyeneman, 2004). Ky fenomen ndikon thellësisht në mënyrë direkte dhe indirekte në psikikën e njerëzve, veçanërisht të studentëve, duke krijuar një ndjenjë mosbesimi në sistem dhe duke ulur mirëqenien psikike si pasojë e mospërmbushjes së nevojave dhe dëshirave të tyre (Sharma & Paul, 2019). Po ashtu, i bën ata të besojnë që suksesi arrihet përmes keqpërdorimeve dhe jo përmes meritokracisë. Që nga pas lufta, në Kosovë janë bërë përpjekje për luftimin e këtij problemi etik e kulturor nga organizatat nderkombëtare dhe shoqëria civile, megjithatë ai vazhdon të jetë pjesë e institucioneve shtetërore. Sa i përket institucioneve të arsimit, tri çështje të mëdha brenda tyre janë e drejta, cilësia dhe barazia (Osipian, 2008). Korrupsioni ka ndikim në secilën prej tyre (Osipian, 2008). Nuk janë të pakta rastet ku është diskutuar në mediat kosovare për këmbimin e notës me para, shfrytëzimin seksual të nxënësve apo punësimin përmes lidhjeve familjare dhe shoqërore. Nepotizmi si formë e korrupsionit, specifikisht në institucionet arsimore, sjell udhëheqës të padenjë dhe mësimdhënës të pakualifikuar.

Një studim nga Meroni dhe kolegët (2015) për ndikimin e shkathtësive të mësimdhënësve në arritjet e nxënësve të matura nga PISA, zbulon që kur këto shkathtësi merren parasysh, ato sqarojnë 14.2% të variancës në rezultatet në matematikë dhe 17.1% të variancës në rezultatet në lexim tek shtetet e OECD. Raporti i OECD (2016) për vlerësimin e vitit 2015 në PISA që kishte në fokus përformancën e mësimdhënësve, tregon se nxënësit përformuan më mirë në shkencë dhe lexim kur mësimdhënësit e tyre demonstruan idetë për çdo mësim, ndanë statusin e përformancës në shumicën e mësimeve, dhanë kritika për përmirësim, dhe treguan si të arrihen objektivat në shumicën e mësimeve. Nxënësit përformuan më mirë në matematikë kur mësimdhënësit shfaqën interes në secilin prej tyre, dhanë ndihmë shtesë në shumicën e mësimeve, shprehën opinionet e tyre, diskutuan me nxënësit dhe për pytjet që ata kishin (OECD, 2016). Arsimimi dhe përvoja e mësimdhënësve shpesh konsiderohen dy variablat kryesore që ndikojnë në arritjet e studentëve. Mirëpo, studimi nga Baumert et al. (2010) argumenton se mësimdhënësit të cilët posedojnë njohuri të forta pedagogjike janë vendimtarë në këto arritje. Në Kosovë vërehet mungesa e njohurive të tilla, madje edhe mashtrimi rreth atyre profesionale. Kjo e fundit është dukuri prezente edhe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) që është konsideruar si Universiteti i 713 më cilësor në botë nga databaza SCImango (2018). Sipas raportit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) (2020), 189 nga 479 profesorë në UP nuk kanë asnjë punim shkencor, 152 profesorë kanë publikuar 532 punime në revista të dyshimta dhe 55% (262 nga 479) e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë. Ekzistojnë edhe rastet kur ata angazhohen në më shumë se tre vende të punës, diçka kjo që mund të ndikoj thellësisht në përformancë. Një profesor që nuk është në gjendje të ndjek studentët dhe përmirësimin e tyre nuk mund të jetë efektiv (Rama, 2011). Duke marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve në nivele të ndryshme të arsimit dalin nga UP, ata mund të jenë produkt i profesorëve të tillë. Përveç kësaj, duke munguar përkushtimi i nevojshëm nga personat kompetentë dhe duke u ndjerë të lënë pas dore mund të ulet edhe motivimi i nxënësve.

Për arritjen e cilësisë në arsim preferohet të merren shembull shtetet të cilat veç kanë shënuar sukses në këtë sektor. Shumë faktorë, duke përfshirë këtu mësimdhënësit të arsimuar mirë, kontribuojnë në suksesin e Finlandës (Morgan & Hani, 2014). Nxënësit e këtij shteti kanë rezultate të larta ne testet internacionale, si PISA, edhe pse mësuesit kalojnë më pak kohë në shkolla se sa mësuesit në shumë shtete të tjera (Morgan & Hani, 2014). Edukatorët në Finlandë nuk besojnë se testimet e shpeshta apo kërkimi i llogaridhënies rrisin nivelin e të mësuarit te nxënësit (Sahlberg, 2012). Kjo i lejon mësuesit të udhëzojnë studentët të zbulojnë mënyrat e tyre për të përmbushur qëllimet kurrikulare pa frikë; për shumicën e studentëve, ky lloj mjedisi inkurajon krijimtarinë dhe përsosmërinë (Sahlberg, 2012). Për shkak se Finlanda nuk e konsideron të rëndësishëm testimin e standardizuar, nuk ka konkurrencë mes shkollave dhe kështu nuk ka stres të panevojshëm për studentët dhe mësuesit (Sahlberg, 2012). Karakteristikë tjetër sipas Sahlberg (2012) është përkujdesja ndaj individëve në fëmijërinë e hershme dhe matjet që identifikojnë problemet në të mësuar para fillimit të shkollës. Mirëpo, pa zgjidhjen e problemeve madhore të lartëcekura, përpjekjet përmes reformave në Kosovë për të arritur krijimin e sistemit arsimor si ky i Finlandës nuk kanë kuptim. Në këtë vend duhet të ndërmerren hapa për ndryshim rrënjësor duke filluar nga nivelet e larta shtetërore e deri tek shkollat.

Rezultatet në PISA kanë vërtetuar dy herë radhazi që në Kosovë ka shumë hapësirë për përmirësim. Prezenca e korrupsionit dhe formave të tij, mësimdhënësit me përformancë të dobët e motivimi në nivel të ulët tek nxënësit, kanë ndikuar që edhe ato përpjekje të cilat janë bërë për rregullim të gjendjes të mos kenë rezultate të kënaqshme. Aktualisht, më shumë se 78% e 15 vjeçarëve në Kosovë janë analfabet funksional (World Bank, 2020). Këta persona supozohet që në të ardhmen të kujdesen, të punojnë për këtë vend apo edhe të udhëheqin atë. Përmirësimi i gjendjes mund të ndodhë, mirëpo njëherë për njëherë duket larg.

Kërkesa Zogjani

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ,,Drejt një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës në Kosovë” mbështetur nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Qendra për Kurajo Politike. Përmbajtja e esesë është përgjegjësi e vetme e autores dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.