,,Pakicat etnike në Serbi e Kosovë si ura lidhëse”

 

Me një qasje dhe mendësi të civilizuar dhe integruese, pikërisht pakicat etnike në shtetet respektive ajo shqiptare në Serbi dhe ajo serbe në Kosovë do të mund të luanin rolin e urave lidhëse dhe të mirëkuptimit për paqe të qëndrueshme aq shumë të nevojshme për të dyja vendet.

 

Krijimi i kombeve në Ballkan shpërfaq ideologjikisht një kombinim me elemente të botëkuptimit francez (kombit shtetëror) dhe atij gjerman (kombit kulturor) për shtetin, pra një përzierje të idesë franceze të shtetit nacional dhe kombit kulturor gjerman sipas Johann G. von Herder. Ky kombinim në këtë pjesë të Evropës ende vazhdon të ushqejë antagonizmat në rrafshin e krijimit dhe konsolidimit të shteteve e të identiteteve përkatëse kombëtare, të cilat janë të përcjellura me përçarje mes atyre „të lidhur me tokën e atdheut” dhe tek-tuk ndonjë „kozmopoliti”.

Kur në vitin 1989 regjimet komuniste në Evropën Lindore dhe Juglindore gjendeshin në fund të „procesit vetëshkatërrimtar”, demokracitë evroperëndimore ishin të befasuara nga kjo kthesë e beftë dhe e papritur dhe aq më pak të përgatitura për veprime të shpejta. Me kalimin e kohës, shumë vende ish-komuniste arritën suksesshëm realizimin e reformave politike e ekonomike të cilat edhe shpien në anëtarësime si në Bashkim Evropian e NATO. Përkundrazi, për më shumë se tri dekada pas cezurës së vititi 1989, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, dy ish-njësi federative jugosllave, vazhdojnë të zotërohen nga një gjendje e turbullt e cila tani i ngjason një përzgjatjeje të një lloji të veçantë të një ,,Lufte të Ftohtë”. Në të dy vendet, konsolidimi strukturor (kushtetuta, organizimi i shtetit), ai reprezentativ (partitë, shoqatat), si dhe procesi afatgjatë i konsolidimit civilo-kulturor vazhdojnë të ngelin nën hijen e mosnjohjes së ndërsjellë dhe marrëdhënieve të tendosura fqinjësore. Kështu, Kosova, e përmes kësaj në mënyrë implicite edhe vet Serbia, mbetën edhe më tej në një paqartësi rreth së ardhmes së tyre si shtete që një ditë aspirojnë finalitetin post-komunist përmes anëtarësimit vetanak edhe në Bashkimin Evropian. Në këtë vorbull, testet lakmus të (mos)  konsolidimit demokratik në të dy vendet shpërfaqet të jenë pakicat etnike në shtetet respektive, ajo shqiptare në Serbi, dhe ajo serbe në Kosovë.

Përderisa në Kosovë, në rastin e komuniteteve pakicë në përgjithësi, e posaçërisht atij serb në veçanti, është aplikuar një inxhiniering politiko-juridik i pashembullt në Evropë e përtej (p.sh. vendet e garantuara në parlament, shumica e dyfishtë përkitazi me vendime kyçe si dhe të drejta gjithëpërfshirëse), në Serbi vazhdon të mbetet i pamohueshëm fakti se qeveritë serbe edhe pas rrëzimit të regjimit të Slobodan Milošević-it nuk janë distancuar deri më sot nga politika serbomadhe, së fundi e shpërfaqur nën petkun e të ashtuquajturës ,,Bota Serbe”. Njëkohësisht, një shumicë dërrmuese e serbëve, bashkë me udhëheqësitë e tyre politike, vazhdojnë me mitet për dhe përreth Kosovës, sipas të cilave „të tjerët” kanë shkaktuar padrejtësi dhe kështu vazhdojnë kultivimin e vetpërfytyrimit se serbët gjithandej janë viktima të së kaluarës dhe të tashmes. Politika të këtilla të prekura nga sindromi i pseudologia fantastica, e të përcjellura nga mendësi tradicionale mitike ballkanase, vazhdojnë të pamundësojnë integrimin dhe trajtimin e barabartë të shqiptarëve etnik, gjeografikisht të koncentruar në tri komunat jugore në Serbi, Preshevë, Bujanoc e Medvexhë.

Tanimë për më shumë se një dekadë, Serbia dhe Kosova negociojnë e bisedojnë në Bruksel për të ardhmen e marrëdhënieve mes veti. Me një qasje dhe mendësi të civilizuar dhe integruese, pikërisht pakicat etnike në shtetet respektive, ajo shqiptare në Serbi dhe ajo serbe në Kosovë, do të mund të luanin rolin e urave lidhëse dhe të mirëkuptimit për paqe të qëndrueshme aq shumë të nevojshme për të dyja vendet. Që kjo të mund të ndodhë, palët negociuese do të duhej të mos harronin se krahas parimit të sovranitetit ndërvarësia mes shoqërive është tipari kyç i sistemit modern ndërkombëtar dhe kohës në të cilën jetojmë.

Përvoja dëshmon gjithandej që vetëm demokracia konsociacionale nuk mjafton, e aq më pak garanton dhe rezulton me shoqëri të integruara. Në fakt, në rastin e Kosovës, partia ,,Lista Serbe” ilustron se si, në kundërshtim me filozofinë demokratike konsociacionale të kooperimit të elitave, aplikohet suksesshëm formula etnike divide et impera dhe përmes saj ndahet pushteti dhe arrihet dominanca mbi klientelën përkatëse etnike. Në fund të fundit, vetëm një kulturë politike ku është i pranishëm vullneti për barazi, ku shumica heq dorë nga dominimi mbi pakicën dhe, në kuptimin e modelit të dialogut mbi bazën e njohjes, shumica i del pakicës përballë jo si superiore po si e barabartë mund të ofrojë suksesin e një sistemi demokratik konsociacional. Pyetja është se sa janë Serbia dhe Kosova të pjekura politikisht dhe kulturalisht që në njërën anë të jetësojnë shtete dhe shoqëri në të cilat dominon vullneti për barazi mes shumicave dhe pakicave etnike në vendet respektive dhe, në anën tjetër, që përmes dialogut mbi bazën e njohjes së ndërsjellë si të barabartë të arrijnë paqe mes veti?

Posaçërisht marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës karakterizohen nga një moral i dyfishtë, fenomen i cili karakterizon edhe shumë lëvizje nacionaliste gjithandej nëpër botë. Kështu, në rastin konkret, të drejtat që kërkohen për serbët në Kosovë u mohohen shqiptarëve që jetojnë në Serbi siç është rasti p. sh. me vetëqeverisjen në nivel komunal e të drejtat në përfaqësim proporcional në vendimmarrje dhe punësim. Një qasje reciproke e balancuar do të mund të ofronte mundësi forcimi e afrimi, e jo dobësimi e ndarje, mes njerëzve dhe raporteve ndërshtetërore si në marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës ashtu edhe në Ballkan e përtej në përgjithësi. Kështu, edhe Serbia edhe Kosova do të duhej që të vendosnin interesin e njerëzve përpara çështjeve territoriale e atyre se cila palë arrinë të demonstrojë më shumë dominancë kundruall palës tjetër.

Duke i dhënë përparësi çështjeve thelbësore në marrëdhëniet e tendosura mes Serbisë dhe Kosovës, siç janë drejtësia tranzicionale, zbardhja e fatit të personave të pagjetur, mundësimin e drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, respektimit të të drejtave pronësore dhe kulturore, si dhe pranimit të parimit bazë të reciprocitetit përkitazi me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi, do të mund të hapej rruga e pakthim drejt krijimit të një paqeje të qëndrueshme mes dy vendeve, që është njëkohësisht edhe parakusht për tejkalimin e trashëgimisë totalitare e të dhunshme drejt një finaliteti të synuar evropian. Si parim bazë për të udhëzuar më tej marrëveshjet e dialogut mes Kosovës e Serbisë, duhet të ketë reciprocitet mes të drejtave për serbët në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi. Kjo siguron edhe normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve si dhe rrit në mënyrë të njëtrajtëshme e reciproke të drejtat për komunitetet joshumicë në të dy vendet gjegjëse.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte menduar si një qasje shtesë për të arritur normalizimin mes dy vendeve, mirëpo ai ka ngecur kryesisht për shkak të shmangies së çështjes thelbësore, mosnjohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Vetëm normalizimi i marrëdhënieve midis partnerëve të barabartë duke vendosur fatin e njerëzve në radhë të parë do të mund të shpie në një normalizim të qëndrueshëm paqësor në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë. Palët duhet të jenë të gatshme të punojnë në drejtim të njohjes së ndërsjellë duke forcuar komunitetet pakicë në vendet e tyre si ura lidhëse. Kështu, edhe Serbia edhe Kosova nuk duhet marrë për bazë modelet e nacionalizmave përçarës, por ato integruese të cilat kanë për bazë vullnetin dhe kulturën politike për barazi duke demonstruar që shumica heq dorë nga dominimi mbi pakicën dhe, në kuptimin e modelit të dialogut mbi bazën e njohjes, shumica i del përballë pakicës jo si superiore po si e barabartë. E për t’u arritur kjo edhe Bashkimi Evropian, në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, duhet ndihmuar më me vendosmëri Serbinë, duke folur që të gjithë me një zë të qartë e jo shumëkuptimor sidomos në çështjen e njohjes së sovranitetit, të drejtës për të ekzistuar, të Kosovës.

 

Për autorin: Dr. Arben Hajrullahu është profesor i shkencës politike në Universitetin e Prishtinës dhe Udhëheqës i Qendrës për Kurajo Politike (CPC). Ai mund të kontaktohet në: arben.hajrullahu@uni-pr.edu  apo Twitter: @ArbenHajrullahu

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

Pakicat etnike në Serbi e Kosovë si ura lidhëse

Ese: Faktorët me ndikim në përformancën e dobët të nxënësve nga Kosova në testin PISA

Për çdo të tretin vit që nga viti 2000, Organization for Economic Co-operation and Development (OECD) mban testin Program for International Student Assessment (PISA) për të vlerësuar nivelin e njohurive tek nxënësit 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë. Këtij testi i nënshtrohen nxënësit e përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga më shumë se 70 shtete. PISA konsiderohet si burim kryesor i informacionit për të filluar ndryshimin e politikave në të gjitha sistemet arsimore (OECD, 2009; Carvalho, 2012). Këtu përfshihet edhe ai i Kosovës, shtet ky që mori pjesë në vlerësim për herë të parë në vitin 2015 duke u renditur në pozitën e tretë me përformancën më të dobët. Në po të njejtën pozitë është renditur edhe në vitin 2018. Edhe pse Kosova ka kaluar nëpër reforma të vazhdueshme arsimore që nga viti 2001, në mënyrë që të jetë në të njëjtin hap me inovacionet arsimore evropiane (Rrustemi & Atanasoska, 2020), duket se ato nuk kanë rezultuar me suksesin e pritur. Kjo për faktin se gjendja e rëndë e sistemit arsimor varet edhe nga faktorë të tjerë. Politizimi i këtij sistemi, standardi i ulët për mësimdhënësit dhe motivimi i ulët tek nxënësit, janë disa prej faktorëve kryesor që ndikojnë në përformancën e dobët akademike.

Përkufizimi i korrupsionit në arsim përfshin keqpërdorimin e autoritetit për përfitime personale dhe materiale (Heyeneman, 2004). Ky fenomen ndikon thellësisht në mënyrë direkte dhe indirekte në psikikën e njerëzve, veçanërisht të studentëve, duke krijuar një ndjenjë mosbesimi në sistem dhe duke ulur mirëqenien psikike si pasojë e mospërmbushjes së nevojave dhe dëshirave të tyre (Sharma & Paul, 2019). Po ashtu, i bën ata të besojnë që suksesi arrihet përmes keqpërdorimeve dhe jo përmes meritokracisë. Që nga pas lufta, në Kosovë janë bërë përpjekje për luftimin e këtij problemi etik e kulturor nga organizatat nderkombëtare dhe shoqëria civile, megjithatë ai vazhdon të jetë pjesë e institucioneve shtetërore. Sa i përket institucioneve të arsimit, tri çështje të mëdha brenda tyre janë e drejta, cilësia dhe barazia (Osipian, 2008). Korrupsioni ka ndikim në secilën prej tyre (Osipian, 2008). Nuk janë të pakta rastet ku është diskutuar në mediat kosovare për këmbimin e notës me para, shfrytëzimin seksual të nxënësve apo punësimin përmes lidhjeve familjare dhe shoqërore. Nepotizmi si formë e korrupsionit, specifikisht në institucionet arsimore, sjell udhëheqës të padenjë dhe mësimdhënës të pakualifikuar.

Një studim nga Meroni dhe kolegët (2015) për ndikimin e shkathtësive të mësimdhënësve në arritjet e nxënësve të matura nga PISA, zbulon që kur këto shkathtësi merren parasysh, ato sqarojnë 14.2% të variancës në rezultatet në matematikë dhe 17.1% të variancës në rezultatet në lexim tek shtetet e OECD. Raporti i OECD (2016) për vlerësimin e vitit 2015 në PISA që kishte në fokus përformancën e mësimdhënësve, tregon se nxënësit përformuan më mirë në shkencë dhe lexim kur mësimdhënësit e tyre demonstruan idetë për çdo mësim, ndanë statusin e përformancës në shumicën e mësimeve, dhanë kritika për përmirësim, dhe treguan si të arrihen objektivat në shumicën e mësimeve. Nxënësit përformuan më mirë në matematikë kur mësimdhënësit shfaqën interes në secilin prej tyre, dhanë ndihmë shtesë në shumicën e mësimeve, shprehën opinionet e tyre, diskutuan me nxënësit dhe për pytjet që ata kishin (OECD, 2016). Arsimimi dhe përvoja e mësimdhënësve shpesh konsiderohen dy variablat kryesore që ndikojnë në arritjet e studentëve. Mirëpo, studimi nga Baumert et al. (2010) argumenton se mësimdhënësit të cilët posedojnë njohuri të forta pedagogjike janë vendimtarë në këto arritje. Në Kosovë vërehet mungesa e njohurive të tilla, madje edhe mashtrimi rreth atyre profesionale. Kjo e fundit është dukuri prezente edhe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) që është konsideruar si Universiteti i 713 më cilësor në botë nga databaza SCImango (2018). Sipas raportit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) (2020), 189 nga 479 profesorë në UP nuk kanë asnjë punim shkencor, 152 profesorë kanë publikuar 532 punime në revista të dyshimta dhe 55% (262 nga 479) e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë. Ekzistojnë edhe rastet kur ata angazhohen në më shumë se tre vende të punës, diçka kjo që mund të ndikoj thellësisht në përformancë. Një profesor që nuk është në gjendje të ndjek studentët dhe përmirësimin e tyre nuk mund të jetë efektiv (Rama, 2011). Duke marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve në nivele të ndryshme të arsimit dalin nga UP, ata mund të jenë produkt i profesorëve të tillë. Përveç kësaj, duke munguar përkushtimi i nevojshëm nga personat kompetentë dhe duke u ndjerë të lënë pas dore mund të ulet edhe motivimi i nxënësve.

Për arritjen e cilësisë në arsim preferohet të merren shembull shtetet të cilat veç kanë shënuar sukses në këtë sektor. Shumë faktorë, duke përfshirë këtu mësimdhënësit të arsimuar mirë, kontribuojnë në suksesin e Finlandës (Morgan & Hani, 2014). Nxënësit e këtij shteti kanë rezultate të larta ne testet internacionale, si PISA, edhe pse mësuesit kalojnë më pak kohë në shkolla se sa mësuesit në shumë shtete të tjera (Morgan & Hani, 2014). Edukatorët në Finlandë nuk besojnë se testimet e shpeshta apo kërkimi i llogaridhënies rrisin nivelin e të mësuarit te nxënësit (Sahlberg, 2012). Kjo i lejon mësuesit të udhëzojnë studentët të zbulojnë mënyrat e tyre për të përmbushur qëllimet kurrikulare pa frikë; për shumicën e studentëve, ky lloj mjedisi inkurajon krijimtarinë dhe përsosmërinë (Sahlberg, 2012). Për shkak se Finlanda nuk e konsideron të rëndësishëm testimin e standardizuar, nuk ka konkurrencë mes shkollave dhe kështu nuk ka stres të panevojshëm për studentët dhe mësuesit (Sahlberg, 2012). Karakteristikë tjetër sipas Sahlberg (2012) është përkujdesja ndaj individëve në fëmijërinë e hershme dhe matjet që identifikojnë problemet në të mësuar para fillimit të shkollës. Mirëpo, pa zgjidhjen e problemeve madhore të lartëcekura, përpjekjet përmes reformave në Kosovë për të arritur krijimin e sistemit arsimor si ky i Finlandës nuk kanë kuptim. Në këtë vend duhet të ndërmerren hapa për ndryshim rrënjësor duke filluar nga nivelet e larta shtetërore e deri tek shkollat.

Rezultatet në PISA kanë vërtetuar dy herë radhazi që në Kosovë ka shumë hapësirë për përmirësim. Prezenca e korrupsionit dhe formave të tij, mësimdhënësit me përformancë të dobët e motivimi në nivel të ulët tek nxënësit, kanë ndikuar që edhe ato përpjekje të cilat janë bërë për rregullim të gjendjes të mos kenë rezultate të kënaqshme. Aktualisht, më shumë se 78% e 15 vjeçarëve në Kosovë janë analfabet funksional (World Bank, 2020). Këta persona supozohet që në të ardhmen të kujdesen, të punojnë për këtë vend apo edhe të udhëheqin atë. Përmirësimi i gjendjes mund të ndodhë, mirëpo njëherë për njëherë duket larg.

Kërkesa Zogjani

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ,,Drejt një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës në Kosovë” mbështetur nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Qendra për Kurajo Politike. Përmbajtja e esesë është përgjegjësi e vetme e autores dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

 

Ese: JO ,,ne duhet”, PO ,,ne do të”

Shprehja që më së shumti dëgjohet të përdoret kur trajtohet çështja për një arsimim më cilësor në përgjithësi në Kosovë, është ,,ne duhet”. Me ,,ne duhet” i qasemi problemit në aspektin ideal, duke shprehur rekomandime e sugjerime të cilat synojnë të shpalosin rrugën që duhet ndjekur, në mënyrë që të arrihen ato rezultate që dëshirohen për t’i dhënë zgjidhje problemit. Duket sikur një përpjekje vetëm në teori për të evidentuar dukuritë negative që e ngulfasin arsimimin cilësor në shoqërinë tonë e që me rekomandimet e propozuara mbaron puna. Ka ardhur koha t’i qasemi sfidës për të arritur një arsimim më cilësor më konkretisht, hap pas hapi. Meqenëse arsimimi është zinxhir koherent që funksionon bashkërisht për të lëvizur ,,motorin e shoqërisë”, atëherë secili duhet t’ia fillojë nga vetja e vet.

Cilësia momentale që kemi në arsim është rrjedhojë e rrethanave shoqëroro politike si dhe (mos-) punës ndër vite të gjeneratave përgjatë historisë. Nuk është realist ai që pret që brenda një periudhe të shkurtër, të arrihet ai niveli i evoluimit të arsimit që do të ishte i kënaqshëm krahasuar me vendet e zhvilluara perëndimore. Po ashtu nuk mund të quhet optimizëm surreal arritja e atij niveli sepse referenca krahasuese e gjendjes që kemi nuk mund të bëhet me vendet që qëndrojnë edhe më dobët se sistemi i arsimit në Kosovë. Dhe po, mund të quhet i dështuar ai ose ajo që është dorëzuar në përpjekjet për ta çuar arsimin në piedestalin që e meriton. Nëse zbërthehet shoqëria nga më e përgjithshmja te ajo individualja, vërehet se është përgjegjësi individuale e gjithsecilit që punën e tij ta kryejë me përpikëri, duke mos bërë fare asnjë tolerim ndaj fenomenit të paaftësisë për hatër të nepotizmit apo klientelizmit, si dy dukuri erozive të një arsimimi më cilësor në vendin tonë. Prindi, që përfaqëson familjen, studenti që përfaqëson kuadrin dhe universiteti që përfaqëson tempullin e dijes do të jenë shtyllat kryesore që do të shqyrtohen në këtë minianalizë.

,,Asnjë prind nuk është i lumtur ta shohë fëmijën e tij të mjerë apo të frustruar. Kjo është arsyeja pse shumë prindër bëjnë gjithçka që munden për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga pengesat dhe dështimet. Gjithmonë mbrojtja e një fëmije nga shqetësimi dhe dështimi nuk është një ide e mirë.”

Ky është rekomandim i dalë nga një hulumtim i bërë prej ,,The Center for Parenting Education” në Shqipëri. Fenomeni ku studenti futet në provim dhe prindi i ndihmon në kopjim është tejet shqetësues në shoqërinë tonë. Shkak është siç duket një lloj keqkuptimi i marrëdhënies prind-fëmijë, ku shpesh bien të gjitha normat shoqërore dhe dalin në pah instinktet prindërore. Por pasojat janë enorme në përgatitjen intelektuale e profesionale të kuadrove që dalin prej sistemit arsimor. Ti si prind po kontribuon që fëmija yt nesër të mos i bëjë ballë konkurrencës së ashpër të tregut të punës dhe të mos jetë i shkathët për ta kryer punën e tij siç duhet në të ardhmen. Andaj, qasja do të duhej të ishte jo ,,ne duhet” por ,,ne do të” ndalojmë si prindër të bëjmë një gjë të tillë.

,,Sipas një anketimi të kryer me 1500 studentë të UP-së nga instituti “EdGuard”, rezulton se kopjimi vazhdon të jetë i pranishëm në UP. Të pyetur se ‘sa prej studentëve në fakultetin/departamentin tuaj mendoni se e përdorin kopjimin gjatë provimeve’, 27.14 % thonë një numër i madh i studentëve, 26.73 % thonë rreth gjysma e studentëve, 36.60 % thonë një numër i vogël i studentëve, 3.47 % thonë asnjë student, 1.50 % thonë të gjithë studentët dhe 4.56 % thonë se nuk e dinë.”

Të qenurit student/e është status që vjen një herë në jetë, dhe po e shfrytëzove në maksimum si fazë përgatitjeje për t’u bërë një profesionist i vërtetë i fushës që studion, do t’ia dalësh që punën ta shndërrosh në pasion në të ardhmen. Kopjimi gjatë provimeve të lë gjysmak në dije. Ndihmesa ndaj studentëve tjerë në provime bën që i pamerituari nesër të zë vendin e punës që ti e meriton. Andaj jo ,,ne duhet” por ,,ne do të” ndalojmë si studentë, nga sot e tutje, ta mbështesim këtë dukuri të shëmtuar pasojat e së cilës do t’i vuajnë gjenerata të tëra pas nesh.

Për më tepër anketimet e studentëve të UP-së tregojnë që:

,,një pjesë e madhe e profesorëve i testojnë studentët me të njëjtin test për disa afate radhazi dhe se një gjë e tillë vetëm sa e nxit kopjimin.”

Barra kryesore e përgjegjësisë së dështimit të sistemit arsimor në Kosovë është e mësuesve dhe profesorëve. Politikanëve bëjua sa të duash me gisht për fajin që mund ta kenë. Interes i tyre është vazhdimi i mandatit të pushtetit në zgjedhjet e radhës dhe nuk kanë shfaqur aspak ndjeshmëri në përmirësimin e gjendjes së mjerë në shumë aspekte në arsim. Ju takon profesorëve, dhe vetëm profesorëve, që të luftojnë me zero tolerancë ndaj dukurive të këqija, që të japin maksimumin nga vetja, që detyra e tyre e shenjtë të kryhet ashtu siç e do e mira e përgjithshme e shoqërisë. E kur jemi tek e mira e përgjithshme e shoqërisë, kuadri cilësor i denjë i prodhuar nga sistemi arsimor është alfa dhe omega e saj. Andaj, assesi ,,ne duhet” por ,,ne do të” rrisim nivelin e përgjegjësisë që të jemi profesorë ashtu siç i ka hije kësaj detyre. Ndryshimet nuk vijnë me fjalë por me vepra. Cilësia në arsim nuk rritet duke pritur nga të tjerët, por duke filluar nga vetja. Andaj JO ,,ne duhet”, e PO ,,ne do të”.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ,,Drejt një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës në Kosovë” mbështetur nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Qendra për Kurajo Politike. Përmbajtja e esesë është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

 

Për autorin

Eris Jashari është student i vitit të dytë në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Shkencës Politike. Prej 2012 deri 2017 ai ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës si zyrtar policor. Ka trajnime të kryera në fushën juridike me theks të veçantë në çështjet penale dhe është i diplomuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Ese: Mbi nevojën e organizimit studentor në shkollat e mesme

Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala student definohet: ,,Ai që ndjek mësimet në një shkollë të lartë”. Por, nëse kthehemi në histori, studenti nuk mund të përkufizohet vetëm në të riun i cili ndjek mësimet në një shkollë të lartë, kolegj apo universitet. Dhe këtu do ndalem te dy vende, Kosova dhe Shqipëria. Shqipëria ishte vend diktatorial për 46 vite, e kryesisht mendohet se në një vend që ka qenë në diktaturë, populli e ka të vështirë të revoltohet. Por, studentët atje e provuan të kundërtën. Në vitin 1990 ishte Lëvizja Studentore ajo që më anë të protestave sollën demokratizimin e Shqipërisë. Ndërsa në Kosovë, studentët ishin ata që prinë në protestat e ’68-ës, ’80-ës e ’97-ës, për arsim dhe kushte më të mira, në kohën kur atyre iu mohoheshin të drejtat elementare prej regjimeve të kohës. Studentët ishin katalizatori i ndryshimeve progresive po edhe në ballë të rezistencës kombëtare. Edhe pas 1999 studentët i kemi parë shumë herë të revoltuar, me aksione e protesta për të kërkuar arsim më cilësor, kundër degradimit të universitetit dhe për mirëqenien e vetë studentëve. Pra, në një mënyrë ata janë forca që sfidon status quo-në. E kjo ka emër: Organizim studentor.

Studentët e organizuar në lëvizje studentore tashmë shumëherë kanë treguar që janë zëri kritik në universitet e shoqëri. Për shembull, së fundi në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014 në Kosovë studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në protesta kundër integritetit të munguar bazik gjithandej te shumë mësimdhënës dhe persona në pozita udhëheqëse brenda vet universitetit. Në Shqipëri në dhjetor të vitit 2018, mijëra studentë dolën në rrugët e Tiranës, për të kërkuar ulje të tarifave në shkollim, kushte më të mira jetese në konvikte dhe përfshirjë më të madhe të studentëve në proceset vendimmarrëse. Megjithëse jo të gjitha kërkesat u plotësuan, studentët treguan që ata duhet të jenë palë në të gjitha vendimet që i afekton ata dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet. Ata e dhanë një mësim demokracie.

Nuk është vetëm Arsimi i Lartë ai që ka nevojë për reforma. Arsimi në Kosovë në përgjithësi është në krizë. Shkollimi joadekuat që na ofrohet ne nxënësve të shkollave të mesme reflektohet edhe në Arsimin e Lartë. Shumë shpesh dështohet që shkolla e mesme t’i përgatitë nxënëxit për studime apo për tregun e punës. Rezultatet e testit PISA tregojnë se 66% e nxënësve 15 vjeçarë në Kosovë nuk dinë të lexojnë siç duhet. Kjo tregon se sa alarmante është gjendja.

Për të gjitha këto, gishti drejtohet kah ata (vendimmarrësit), kritikohen profesorët dhe mësuesit ndërsa pala e cila më së shumti ndikohet nga kjo gjendje e mjeruar e arsimit, pra nxënësit, janë të heshturit. Në Kosovë nuk ka një lëvizje të nxënësve të shkollave të mesme, gjithëpërfshirëse, e cila do të adresonte nevojat e nxënësve por edhe do të ishte pjesë e proceseve vendimmarrëse. Në shkollat e mesme ekzistojnë Këshillet Rinore të cilat më shumë janë për t’u dukur se shkollat përfshijnë nxënësit si strukturë në vete sesa të dëgjojnë në realitet zërin e tyre. Nga përvoja personale, duke qenë pjesë e Këshillit Rinor, nxënësit dëgjohen vetem deri në masën që nuk ndikon te stafi drejtues i shkollës dhe profesorët. Nxënësit ende shihen si ,,robotë” dhe se duhet t’iu binden fjalëve të tyre pa pasur të drejtë për të kritikuar, propozuar e për t’u përfshirë në procese vendimmarrëse. ,,Detyra jonë është të mësojmë, me të tjerat merren ata”! Kështu na është mësuar prej fillimit. Tani në pandemi është vërejtur edhe më shumë se sa e nevojshme është një lëvizje studentore në shkollat e mesme. Lidhur me skenarët e fillimit të vitit shkollor, vendosën Ministria dhe institucionet shëndetësore. Nxënësit asnjëherë nuk u pyetën se si duhet proceduar tutje, çfarë do të mund të përmirësohej në vitin shkollor 2020/21 duke u nisur nga përvoja tremujore me mësimin online që u zhvillua në gjysmën e parë të vitit 2020. Në shkollën ku unë vijoj mësimet, një peticion lidhur me atë se me cilin skenar sugjerojmë të fillojmë këtë vit, të cilën ne nxënësit planifikuam t’ia drejtojmë Ministrisë së Arsimit, ngjalli reagime të shumta nga stafi drejtues i shkollës dhe shumë profesorë. Meqë nuk ishin mësuar që nxënësit të ngrisnin zërin për çështjet që i prekin direkt ata, kjo u pa si një kundërvënie ndaj vetë profesorëve. Kur Këshilli Drejtues i shkollës foli, nxënësit u zmbrapsën. Mendësi provinciale e instaluar në shkollat tona, e me pasoja afatgjate për gjithë shoqërinë.

Por, organizimi studentor në shkollat e mesme nuk është diçka kozmike. Ka shembuj në rajon dhe botë, që nxënësit kanë lëvizje të tyre. Kjo pasi arsimi nuk mund të reformohet pa qenë edhe nxënësit pjesë e atij procesi. Mësim që politika kosovare kurrë nuk e mori. Në Maqedoninë e Veriut tashmë është themeluar Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, i cili funksionon gjithandej vendit. Sot atje nuk merren vendime për arsimin e mesëm pa u konsultuar me Unionin. Ata mbrojnë të drejtat e nxënësve, japin propozime, ngrisin zërin për reformat që duhet të ndodhin në arsim. Në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut ata hartuan një memorandum prej pesë pikave për reformat në arsim drejtuar partive politike që garuan në zgjedhje ndaj të cilave pika, duhet të zotoheshin se do ju përmbaheshin. Zëri i kësaj Lëvizjeje Studentore u dëgjua deri në Parlament. Në këtë mënyrë ata e kanë transformuar idenë e të qenurit nxënës.

Edhe Kosova ka nevojë për një Lëvizje Studentore të tillë në shkollat e mesme, ku nxënësit janë palë në procesin e reformimit të arsimit dhe jo spektatorë; ku zëri i tyre ka po aq peshë sa edhe i vendimmarrësve. Sidomos për një shtet në tranzicion siç është Kosova, është e nevojshme që edhe nxënësit të mësohen nga fillimi që të jenë zë kritik në shoqëri në mënyrë që në të ardhmen të jenë qytetarë të dinjitetshëm. Po aq urgjente sa janë reformat përmbajtësore në arsim duke filluar nga përmbajtja e plan-programeve mësimore, objektet shkollore, e deri tek ,,vetting” për profesorë, po aq e nevojshme është një Lëvizje Studentore në shkollat e mesme, nga nxënësit për nxënësit.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit ,,Drejt një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës në Kosovë” mbështetur nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Qendra për Kurajo Politike. Përmbajtja e esesë është përgjegjësi e vetme e autores dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

 

Për autoren

Armela Hajra është nxënëse në vitin e tretë në Gjimnazin ,,Frang Bardhi”, drejtimi i shkencave natyrore në Mitrovicë. Që nga mosha 13-vjeçare ajo ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme, seminare dhe aktivitete brenda dhe jashtë vendit. Fushat në të cilat ajo është e interesuar janë të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe fuqizimi i të rinjve.

,,Zgjedhjet dhe njollat e zeza”

Arben Hajrullahu

 

Dramaturgu norvegjez do të mund t’i ndihmonte votuesit kosovarë se si të (mos-) votojnë dhe njëkohësisht të jenë në gjendje të ruajnë qetësinë shpirtërore dhe ndërgjegjjen me gjithë faktin e votës së dhënë. ,,Shoshite brendësinë e çdo qenie njerëzore – në secilin prej tyre do të gjeni të paktën një njollë të zezë që duhet mbuluar” (H. Ibsen 1828 – 1906, në ,,Shtyllat e Shoqërisë”). Injorimi dhe mospjesëmarrja në zgjedhje nuk do të duhej të ishte alternativa për të gjithë që jetojnë në apo jashtë Kosovës. Po si të vendoset për cilin ,,deklarimin politik” (M. Weber) në momentin e votimit? Edhe pse çdonjëri do të duhej të ishte i vetëdijshëm se të gjitha partitë tok me kandidatët/et e tyre janë duke i mbuluar ,,njollat e zeza”, një skicë orientuese se cili do të duhej të ishte kuti matës për (mos-) dhënien e votës do të duhej të ekzistonte. Kjo hartë orientuese se si të (mos-) votohet do të mund të ndihmonte në zgjedhjen optimale.

Kushdo e sado që fiton, që në ditën e parë në e me pushtet, do të konfrontohet me trashigiminë e mirë- apo keq-qeverisjeve paraprake. Pra, qeveria e re do të duhet të vazhdojë përpara me gjendjen që e trashëgon nga ato të mëparshmet. E si të vazhdohet? Cila do të ishte mënyra më e mirë dhe e realizueshme në situatën e dhënë? Në këtë pyetje ndodh edhe ndeshja e pikëpamjeve politike se çfarë e si, çfarë na qenka e ,,mirë” e çfarë e ,,keqe”, e para së gjithash si të ndahet kulaçi publik, buxheti. Cilatdo qofshin përgjigjet në këto pytje, votuesit kosovarë do të duhej pa emocione, aq sa është e mundur, e në mënyrë racionale të votonin për ato subjekte politike që në listat e tyre nuk shpërfaqin kandidatë që kanë pasur apo kanë rënë ndesh me drejtësinë dhe integritetin e etikën profesionale. Të tillë në skenën politike kosovare nuk ka me bollëk. Të gjithë individët dhe subjektet e tyre politike që kanë pamundësuar për vite e dekada zhvillimin e qëndrushëm ekonomik, shtetin e së drejtës dhe ligjor dhe në kohë zgjedhjesh janë gojëplot duke u çirrur me fraza për luftimin e korrupsionit dhe keq-qeversijes, nuk duhet votuar.

Njollat e zeza janë aq të shumta, saqë edhe të ishin votuesit të verbër nuk do të mund t’i mbulonin. Për më shumë, në mënyrë racionale këtë soj individësh dhe subjektesh politike që s’mund as të i’u mbulohen anët e errëta nuk do të duhej votuar madje as vet ata që kanë përfituar e janë duke përfituar në mënyre të paligjshme dhe të pandershme. Arsyeja do të ishte e thjeshtë: nëse vazhdohet në mënyrën e njëjtë të udhëheqjes si në vitet dhe dekadat e kaluara, atëherë edhe vetë përfituesit e paligjshëm dhe pandershëm s’do të mund të jetojnë gjatë në një sistem të pallogaritshëm e të rrezikuar nga ciklet vetëshkatërruese. Do të detyrohen të ikin, siç ikën e po ikin shumë edhe nga vet ato shtresa që kanë një mirëqenie relative ekonomike, të përvetësuar konform apo në kundërshtim me ligjin, me apo pa nder. E ikja, të themi duke ofruar ,,arsyetimin” sqarues se ,,s’kemi ku ti çojmë fëmijët në shkollë”, s’mund të ofroj ikje nga vet-vetja për askënd. Pushtetarët e rinj eventual, për shembull në rast të ballafaqimit me sistemin e drejtësisë, ish-udhëheqësve të deritanishëm do të duhej të i’u mundësojnë trajtim dinitoz, jo-hakmarrës dhe para së gjithash fer. Madje, të mbuluarve nga ,,njollat e zeza” duhet ofruar edhe shërbime profesionale psikologjike si të dyshuar për vuajtje nga ,,pseudologia fantastica”.

Individët dhe subjektet politike që pa ndërprerë përmendin Serbinë dhe raportet e komplikuara me të duke u munduar të arsyetohen për mosofrimin e mirë-qeverisjes dhe zgjidhjeve konkrete në fushat gjegjëse, nuk do të duhej ta meritonin votën e askujt, por as mohuesit e as (tentim-) coptuesit e shtetit nuk do të duhej ta meritonin votën. Vetëm dialogu, edhe me vet ato forca që e luftojnë, mohojnë, tentojnë ta coptojnë apo shkallmojnë Kosovën, dhe para së gjithash paralelisht me dialogun edhe ofrimi i zgjidhjeve për problemet konkrete do të mund të ishte alternativa drejt hapit të radhës. Po si do të mund të dialogohet, në çfarë baze? Empatia për palën tjetër do të mund të ndihmonte. Tentimi i kuptimit, jodomosdoshmërisht mirëkuptimit, i palës tjetër do të mund të ofronte hapin e parë se si të dialogohet në e për Kosovën. Nga një shembull ilustrues prej politikës së jashtme e asaj të brendshme do të ishin: Në rrafshin ndërkombëtar, e para së gjithash në rrafshin e dialogut me Serbinë, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës vazhdon të mbetet një mundësi e pashfrytëzuar për forcimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës së mohuar e zhvatur, nga brenda e nga jashtë; Në rrafshin e zhvillimeve të brendshme mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë për (mos-) veprimet duke ushtruar pozita me përgjegjësi publike vazhdojnë ta pamundësojnë në mënyrë kronike krijimin e çdo parakushti për më shumë zhvillim ekonomik dhe shtet funksional të së drejtës e ligjor.

Një analizë, hetim dhe gjykim objektiv e i drejtë se pse Kosova çdo ditë e më shumë është bërë e padëshirushme si për qytetarët e saj e po ashtu madje edhe për palët ndërkombëtare me qëndrim miqësor dhe mbështetës ndaj saj, do të duhej të ishte njëri nga veprimet e para të pushtetarëve të rinj. Kështu, vetëm dhe vetëm ato forca politike që ende sadopak kanë ngelur të paerrësuara plotësisht nga ,,njollat e zeza”, e që janë më bindëse se kanë dijen, vullnetin dhe guximin njerëzor e udhëheqës që ta trajtojnë të tashmen në funksion të orientimit për të ardhmen, e para së gjithash nuk shfaqin simptoma se do të jetojnë në e me të kaluarën përderisa nga ta pritet të mirë-qeverisin në të tashmen, duhet dhe do të meritonin për t’u votuar.

 

Një version i këtij shkrimi ishte botuar paraprakisht në ,,Dialogplus” më 31.08.2019