Tryezë diskutimi: Integriteti akademik në Arsimin e Lartë në Kosovë me theks të posaçëm në Universitetin e Prishtinës, 3 tetor 2019

Më 3 tetor 2019, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi tryezë diskutimi mbi integritetin akademik në Arsimin e Lartë në Kosovë me theks të posaçëm në Universitetin e Prishtinës ,,Hasan Prishtina” (UP). Në tryezë u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet nga raporti ,,Dialog mes të shurdhërve” – mbi integritetin akademik në UP. Në hulumtim evidentohen një varg problemesh që lidhen me ndershmërinë akademike, plagjiarizmin, avansimet dhe çështje të tjera përkitazi me etikën dhe integritetin në UP e përtej. Për më shumë, në hulumtim radhiten edhe një sërë rekomandimesh për hisedarët e arsimit të lartë në Kosovë.

Pas prezantimit të qëllimit dhe gjetjeve të hulumtimit, fjalën e mori Prorektori për kërkime shkencore i Universitetit të Prishtinës z. Faton Berisha duke vazhduar më pas z. Aqim Emurli nga projekti ,,HERAS” në Kosovë, i cili paraqiti para të pranishmëve angazhimet e projektit që drejton me fokus në etikën dhe integritetin në hulumtime shkencore dhe disa propozime konkrete se si të adresohen këto çështje. Pjesëmarrës në tryezë ishin kryesisht profesorë dhe pjesëtarë të menaxhmetit të UP-së si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Ndonëse ishin ftuar edhe zyrtarë të MAShT, asnjë nga ta nuk ishin të pranishëm në tryezë. Në bazë të diskutimeve në këtë tryezë CPC do të hartojë një dokument avokues në të cilin gjetjet kryesore të hulumtimit do të gërshëtohen me diskutimet.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit ,,Avokim per avancimin e integritetit akademik dhe cilësisë së arsimit të lartë”. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është përmirësimin e politikave dhe dokumenteve kyçe që rregullojnë çështjet e integritetit akademik të UP-së dhe ngritjen e cilësisë mbi temat e mendimit kritik, shkrimit akademik dhe aftësive të buta tek studentët e vitit të parë dhe të dytë të UP-së.

Projekti ,,Avokim per avancimin e integritetit akademik dhe cilësisë së arsimit të lartë” mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Tranparencë në Universitet (KITU).

 

Tryezë diskutimi: Integriteti dhe etika në arsimin e lartë, 24 tetor 2018

Më 24 tetor 2018, Qendra për Kurajo Politike (CPC) me mbështetje nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, organizoi tryezën diskutuese me temë ,,Integriteti dhe etika në arsimin e lartë” e cila u mbajt në Biblotekën Kombëtare të Kosovës ,,Pjetër Bogdani”. Tryeza diskutuese u organizua me qëllim të debatimit mbi çështjet që lidhen me integritetin dhe etikën në arsimin e lartë; rregullimin normativ; gjendjen ekzistuese dhe zhvillimet në Universitetin e Prishtinës ,,Hasan Prishtina” (UP) si dhe të gjeturat e shoqërisë civile dhe hapat që do të mund të ndërmerreshin drejt promovimit të integritetit dhe etikës në arsimin e lartë.

Përkundër rëndësisë dhe aktualitetit të temës, në tryezë është vërejtur  mungesa e menaxhmetit të UP-së, anëtarëve të Këshillit të Etikës së UP-së, ndërsa numri i pjesëmarrësve nga stafi akademik ishte simbolik, gjë që tregon për mosgatishmërinë dhe hezitimin që të debatohet me palët që kanë identifikuar mungesën e integritetit akademik, siç është shoqëria civile. Kohëve të fundit organizata të ndryshme kanë publikuar një numër raportesh ku vëhet në pah mungesa e integritetit dhe etikës nga disa pjestarë të stafit akademik, p.sh duke qenë të involvuar në plagjiarizëm.

Përfaqësuesja e njërës nga organizatat-,,Admovere” që së fundi ka publikuar një raport lidhur me plagjiaturat, i prezantoi të gjeturat e raportit ,,Stafi akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë”. Ajo shpalosi disa raste të plagjiaturave në UP të cilat janë bërë të ditura ndër vite mirëpo deri më tani nuk janë ndërmarrë masa gjegjëse.

Gjatë debatit pjesëmarrësit theksuan që si rrjedhojë e integritetit dhe etikës së munguar akademike shpesh ndodh edhe aplikimi i normave në mënyrë selektive dhe arbitrare. Kështu p.sh. gjatë procesit të avancimeve akademike marrja për bazë e kritereve ndryshon varësisht nga rasti në rast. Ndonjëherë merret për bazë vetëm përmbushja e kritereve formale e ndonjëherë ato të cilësisë së punimeve. Gjithashtu, gjatë tryezes u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, si p.sh. në Shqipëri, ku është ndërmarrë iniciativa për verifikimin e titujve shkencorë si një përvojë relevante edhe për Kosovën.

Tryezë e rrumbullakët: Rëndësia e arkivimit të të dhënave dhe të dhënat e hapura në shkencat shoqërore, 15 shkurt 2017

Më 15 shkurt 2017 në Prishtinë, Qendra për Kurajo Politike (CPC) si një nga partnerët në kuadër të projektit ,,Shërbimet e të dhënave të Evropës Juglindore” (,,SEEDS”), mbajti tryezën e rrumbullakët me temën ,,Rëndësia e arkivimit të të dhënave dhe të dhënat e hapura në shkencat shoqërore”.

Kjo tryezë kishte për qëllim prezantimin e iniciativës për themelimin e ,,Qendrës së Kosovës për të Dhëna të Shkencave Shoqërore”, rrjetëzimin dhe promovimin e të dhënave të hapura dhe arkivimit të të dhënave. ,,SEEDS” është një projekt i financuar nga Zvicra që synon të ndihmojë në krijimin e shërbimeve të reja të të dhënave në shkencat shoqërore në Shqipëri, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi.

Në tryezë morën pjesë 23 pjesëmarrës nga institucione të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës ,,Hasan Prishtina” (UP), Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agjencia Kombëtare e Statistikave, institute kërkimore si dhe hulumtues të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Prof. Arben Hajrullahu nga Departamenti i Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, hapi konferencën duke prezantuar projektin ,,SEEDS”, qëllimin dhe synimin e tij, si dhe atë që është arritur deri më tani në kuadër të këtij projekti. Për më tepër, profesor Hajrullahu theksoi rëndësinë e të dhënave të hapura dhe rëndësinë e tyre për komunitetin akademik dhe studiues.

Znj. Marijana Glavica nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe Sociale në Zagreb, prezantoi procesin e krijimit të shërbimeve kombëtare të të dhënave për shkencat sociale, duke theksuar mësimet e nxjerra nga projektet e mëparshme dhe aktuale si ,,SERSCIDA” dhe ,,SEEDS”, si dhe projektin e ardhshëm. i ,,CEESDA SaW”. Znj. Glavica përmendi si mësime të nxjerra nga rasti kroat rëndësinë e rrjetëzimit dhe shprehjes së interesave të vazhdueshme, pasi krijimi i arkivit të të dhënave sociale është një proces shumë i gjatë dhe kërkon sinergji me sa më shumë palë të interesuara.

Georges Labreche nga ,,Open Data Kosova” prezantoi disa nga projektet më të suksesshme. Ai ndau përvojën e tij në punën në këtë fushë dhe përmendi se në përgjithësi ka mungesë të njohurive dhe të kuptuarit të saktë se çfarë janë në të vërtetë të dhënat e hapura.

Shkumbin Brestovci nga ,,Prishtina Hackerspace” u ndal në rolin dhe rëndësinë e burimeve të hapura, të drejtat e autorit dhe ndikimin e të dhënave në procesin e politikëbërjes.

Një debat i gjallë mes të gjithë pjesëmarrësve mbylli tryezën ku u nxorën vërejtjet përfundimtare nga disa pyetje, komente dhe sugjerime. Në tryezë u konstatua se në Kosovë nevojitet më shumë bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Evropian për të institucionalizuar një arkivë të dhënash në vitet në vijim, e cili patjetër do të rriste nivelin dhe cilësinë e kërkimit shkencor.

 

Scientific Café V: Metodat e kërkimit dhe ndërtimi i paqes përmes historive të jetës: krahasimi i perspektivave lokale dhe ndërkombëtare, 23 mars 2017

Në kuadër të Programit të Dialogut të Politikave për Fuqizimin e Kërkimeve të Shkencave Sociale në Kosovë, më 23 mars 2017, Qendra për Kurajo Politike (CPC) mbajti “Scientific Café” të pestë me radhë me temë ,,Metodat e kërkimit dhe ndërtimi i paqes përmes tregimeve të jetës: Krahasimi i perspektivave lokale dhe ndërkombëtare”. Folësja jonë e ftuar për këtë ngjarje ishte Dr. Arlinda Rrustemi, Hulumtuese dhe Ligjëruese në Universitetin Leiden në Holandë. Siç ishte rasti me ,,Scientific Café” të mëparshme, folësi dhe pjesëmarrësit u mblodhën në një mjedis joformal.

Prezantimi i Dr. Arlinda Rrustemit u fokusua në rëndësinë e ndërtimit të shtetit dhe paqes në ditët e sotme, duke pasur parasysh faktin se mbi gjashtëdhjetë shtete janë ose të brishta ose në dështim, duke përfshirë më shumë se dy miliardë njerëz. Ajo rishikoi kritikat mbi qasjet e përdorura në shoqëritë pas konfliktit duke eksploruar deri në çfarë mase narrativat ndërkombëtare në lidhje me prioritetet, sukseset dhe dështimet e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit dhe paqes krahasohen në mënyrë eksperimentale me perspektivat lokale dhe çfarë mësimesh mbajnë këto njohuri për proceset e ardhshme të ndërtimit të shtetit dhe paqes në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor.

Prezantimi i saj u fokusua në metodat e kërkimit dhe ndërtimin e paqes përmes historive të jetës, e cila pasqyron objektivin e dyfishtë vijues: Së pari, të eksplorojë narrativat lokale të shtetit dhe ndërtimit të paqes; së dyti, të krahasohen këndvështrimet ndërkombëtare dhe vendore mbi këtë temë. Hulumtimi i ndërtimit të shtetit dhe paqes përmes historive të jetës dhe teorisë së bazuar përfaqëson një qasje metodologjike autentike, novatore dhe ndërdisiplinore. Disa histori jetësore ilustruan gjetjet dhe konkluzionet e Dr. Arlinda Rrustemit, të cilat sugjerojnë të fokusohemi më shumë në pajtimin instrumental që nxit jetesën së bashku sesa të jetuarit si komunitete të ndara.

Gjatë diskutimit me studentët u vu re një interes i lartë për historitë e jetës si qasje dhe metodë kërkimore. Duke pasur parasysh faktin se shumica e nxënësve dëgjuan për herë të parë për këtë metodë, ata bënë disa pyetje se si u zhvilluan historitë e tyre të jetës, cilat ishin sfidat kryesore gjatë mbledhjes së të dhënave si dhe besimin nëse një metodë e tillë mund të ketë një ndikim real në pajtim.

 

 

Konferencë: ,,Rruga përpara: Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave” 19 maj 2016

Në kuadër të programit ,,Dialogu për politika”, i cili synon fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese në shkencat shoqërore në Kosovë, si dhe nxitjen e një dialogu të informuar në mes palëve të interesit, Qendra për Kurajo Politike (CPC) me mbështetjen e Programit për Promovimin e Hulumtimeve Rajonale në Ballkanin Perëndimor (RRPP), më 19 maj 2016 organizoi konferencën ,,Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe vendimarrjes së bazuar në evidencë”.

Objektivat kryesore të kësaj konference një-ditore ishin që të:

  1. Prezantoj dhe promovoj të arriturat përmes „Regional Research Promotion Program (RRPP) National Policy Dialogue” 2012 – 2016 në Kosovë;
  2. Shqyrtoj mundësitë se si të vazhdoj lidhja në mes të rezultateve kërkimore relevante dhe proceseve të caktuara të vendimarrjes;
  3. Nxitë debatin në bashkëpunimin me studiuesit Kosovar që veprojnë jashtë vendit;
  4. Shqyrtoj perspektivat për vazhdimin e aktiviteteve të projektit „Dialogu për Politikat” që në mënyrë efektive të kontribuojnë në cilësinë e hulumtimit dhe kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, dhenë këtë mënyrë t’i shërbejnë zhvillimit të politikave dhe vendimarrjes të bazuar në evidencë.

Në konferencë u mblodhën së bashku rreth pesëdhjetë pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të: Ambasadës së Zvicrës në Kosovë; Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP); RRPP-së; të Universitetit të Friburgut; anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës; profesorë dhe hulumtues tëuniversiteteve të Kosovës; ligjerues dhe hulumtues kosovar që veprojnë jashtë Kosovës; udhëheqës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT); si dhe përfaqësues të organizatave think-tank.

Fjala hyrëse

 Anita Schlüchter Roth, Zëvendës-Ambasadorja zvicerane në Kosovë, përgjatë fjalës së saj hyrëse shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për përkrahjen e iniciativave që si pikësynim kanë zhvillimin dhe promovimin e hulumtimit shkencor në fushën e shkencave shoqërore, duke cilësuar se fuqizimi i hulumtimit të mirëfilltë shkencor reflekton në emancipim të përgjithshëm.Ajo theksoi se cilësia e ulët e sistemit arsimor dhe punës hulumtuese është trashëgimi e të kaluarës së vështirë në Kosovëmirëpo edhe nga mungesa e vëmendjes sëkushtuar këtyre sektorëve viteve të fundit.

Prorektori për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha, u zotua se ngritja e kapaciteteve akademike por edhe financiare për nxitjen e hulumtimit shkencor është prioritet i menaxhmentit në të cilin ai bën pjesë. Përmë shumë,ai kërkoi nga të pranishmit të kenë një qasje realiste për sa i përket pritshmërive lidhur me mundësitë e UP-ës për zhvillimin e projekteve hulumtuese konkuruese me vendet e tjera më të zhvilluara të botës.

Jasmina Opardija-Susnjar, menaxhere e RRPP, prezantoi kronologjikisht punën dhe të arriturat e programit në nxitjen dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore nga fusha e shkencave shoqërore në Kosovë. Ajo vuri theksin te rëndësia e qasjes dhe bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkimeve duke shprehur se mundëson bashkëpunimin dhe rrjetëzimin mes hulumtuesve për interesime të përbashkëta, mundëson shkëmbimin e burimeve, rritë suksesin në pjesëmarrjen në programet ndërkombëtaresi dhe ofrohen zgjidhje për probleme të ngjajshme.

Nita Bylykbashi-Deliu nga CPC prezantoi pikat kyesore të të arriturave të iniciativës ,,RRPP National Policy Dialogue”. Ajo u fokusua në paraqitjen e rekomandimeve të dala nga një sërë debatesh, takimesh e analiza të realizuara si pjesë e kësaj iniciative. Disa nga rekomandimet kryesore të paraqitura kishin të bëjnë me decentralizimin dhe deburokratizimin e universiteteve, lehtësimin e procedurave për aplikim për fonde në MASHT, me krijimin e mekanizmave për monitorimin e zbatueshmërisë së kornizave ligjore ekzistuese, si dhe me krijimin e urave bashkëpunuese e komunikuese në mes hulumtuesvedhe politikëbërësve.

 Paneli I: Hulumtuesit dhe Politikëbërësit: (Pse/A) kemi nevojë për njëri-tjetrin?

 Në panelin e parë u trajtuan çështjet e komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në mes hulumtuesve dhe politikëbërësve në Kosovë, si një nga parakushtet e domosdoshme për dizajnimin e politikave të zbatueshme edhe të sukseshme publike.

Magdalena Solska, këshilltare e RRPP-së si dhe ligjëruese në Universitetin e Friburgut, theksoi rëndësinë e përfshirjes së drejtëpërdrejtë të hulumtuesve në hartimin e politikave dhe strategjive publike, duke konsideruar se kufiri ekzistues rigjid në mes institucioneve shkencore-kërkimore dhe atyre politikëbërëse duhet të tejkalohet.

Gorana Radovanović, menaxhere e projektit PERFORM në Serbi, u shpreh se hulumtimi mbi çështjet dhe problematikat pubike është një hallkë e patejkalueshme gjatë procesit të politikëbërjes. Për më shumë ajo theksoi se shpesh herë mungon besimi dhe respekti i dyanshëm nga hulumtuesit dhe politikebërësit, dhe se ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me prodhimin dhe përdorjen e evidencave.

Nait Hasani, kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Rebublikës së Kosovës, theksoi se shkalla e lartë e moszbatueshmërisë së ligjeve ekzistuese reflekton mbi atë se sa të nevojshme janë hulumtimet paraprake mbi çështje të caktuara publike. Ai po ashtu konsideroi se tendenca e vazhdueshme për t’a harmonizuar legjistlacionin vendor me atë të BE-së, shpesh herë rezulton në miratim të ligjeve të cilat aspak nuk i përshtaten rrethanave ekzistuese kosovare. Ai theksoi se buxheti aktual i cili i ndahet komisionit të cilin ai e drejton ështëi pamjaftueshëm për inicimin dhe realizimin e proceseve monitoruese rreth zbatueshmërisë së ligjeve me rëndësi vitale në fushën e arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor.

Fisnik Korenica, drejtues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, konsideroi se debati rreth bashkëpunimit në mes politikëbërësve dhe hulumtuesve duhet të trajtohet në një nivel më strategjik. Sipas tij, dështimet e politikave të deritanishme publike në Kosovë janë rezultat direkt i mos planifikimit afatgjatë dhe mos konsultimit paraprak të rezultateve të hulumtimeve. Si pasojë, çdo ligj i Kosovës amandamentohen mesatarisht çdo 3-4 vjet, që konsiderohet si praktikë absurde. Ai po ashtu kërkoi që komisionet parlamentare të luajnë një rol më aktiv në procesin e hartimit dhe diskutimit të ligjeve.

Paneli II: Në vend të ,,Brain Gain”ose,,Brain Drain”, pse jo ,,Brain-Circulation”?

 Në panelin e dytë u diskutua lidhur me idenë dhe nevojën për ,,brain circulation” në mes hulumtuesve kosovarë që veprojnë në vend dhe diasporës akademike, si një alternativë kundrejt praktikave jo të suksesshme të deritanishme që kanë synuar kthimin e kësaj diaspore në Kosovë. Në këtë drejtim, Nitë Bylykbashi-Deliu nga CPC, prezantoi dhe promovoi para të pranishmëve Platformën Virtuale të Hulumtuesve, një iniciativë kjo e cila synon intensifikimin e komunikimit, dialogimit dhe bashkëpunimit në mes hulumtuesve kosovarë të shkencave shoqërore në kuptimin e gjerë të tyreqë veprojnë brenda dhe jashtë vendit, si dhe me institucionet vendore. Ajo shpjegoi se ideja për krijimin e kësaj platforme është motivuar nga të gjeturat e disa hulumtimeve të realizuara nga hulumtuesit e CPC-së, të cilat reflektojnë mbi mungesën e një hapësire inovative e praktike, në të cilën hulumtuesit kosovarë do të mund të ndanin publikisht interesat dhe angazhimet e tyre akademike, të bashkëpunonin mes vete dhe të informonin komunitetin akademik dhe politikbërës lidhur me aktivitetin dhe punën e tyre shkencore. Njëherit, të interesuarve iu bë thirrje që t’i bashkohen kësaj platforme.

Drita Kadriu, drejtoreshë e Departamentit për Arsim të Lartë në MASHT, u pajtua se ,,qarkullimi i trurit” është parakusht edhe për qarkullim të vlerave dhe për pavarësi akademike. Ajo njëherit u shpreh se krijimi i mundësive për rrjetëzim ndërkombëtar dhe inkuadrim të diasporës adakemike në hapësirën arsimore kosovare janë prioritete të MASHT-it. Ajo po ashtu konsideroi se kultura e hulumtimit shkencor në Kosovë duhet të instalohet dhe të promovohet që në nivelet e arsimit parauniversitar, si dhe të fuqizohen mekanizmat për kontrollimin dhe garantimin e kredibilitetit shkencor të punimeve akademike.

Gëzim Visoka, hulumtues dhe ligjërues në Universitetin e Dublinit, cilësoi se në Kosovë mungon hulumtimi i mirëfilltë akademik. Sipas tij, në këtë devalvim të përgjithshëm të vlerave akademike në Kosovë kanë kontribuar edhe organizatat e shoqërisë civile të cilat përmes realizimit të projekteve sipërfaqësore hulumtuese e kanë dëmtuar mendimin e pavarur kritik dhe e kanë frenuar prodhimin e dijes origjinale shkencore. Ai po ashtu vlerësoi se forcat konservatore të cilat mbështeten nga klane të ngushta të interesit personal kanë minuar përpjekjet për ndyshime rrënjësore në UP. Në këtë pikë, ai konsideroi se përderisa ,,kthimi i trurit” nuk ka rezultuar në zhvillim të përgjithshëm shoqëror për shkak se sistemi aktual nuk i ka favorizuar mendjet e hapura, zgjidhja mund të jetë tek ,,qarkullimi i trurit” ku hulumtuesit kosovarë bëhen pjesë dinamike e proceseve arsimore ndërkombëtare. Ai propozoi disa iniciativa konkrete përmes së cilave do të mund të përkrahej ,,qarkullimi i trurit” si: inicimi i një shkolle verore për hulumtim shkencor ku ligjërues do të mund të ishin hulumtues/e nga diaspora akademike kosovare; mbështetja financiare e mobilitetit të hulumtuesve për qëllime kërkimore-shkencore; shkëmbimi i syllabuseve mes ligjeruesve në universitetet e Kosovës me ata në vendet tjera; dheaplikimi i përbashkët për fonde të BE-së për projekte hulumtuese.

Fjala Përmbledhëse: ,,Rruga përpara” – si të mbështeten mekanizmat e ,,National Policy Dialogue”?

 Hasnije Ilazi, profesoreshë në UP, në fjalën e saj përmbyllëse identifikoi disa nga pikat më të rëndësishme nga diskutimet e konferencës. Ajo konkludoi se zhvillimi i hulumtimeve kredibile cilësore është baza mbi të cilën duhet të zhvillohet procesi i politikëbërjes. Për më tepër, ajo konsideroi se ndërtimi i kapaciteteve hulumtuese është një nevojë e domosdoshme me të cilën përballet komuniteti akademik kosovar. Sipas saj qasja në koncoriume ndërkombëtare si dhe nxitja e konkurencës do të kontribuonin në gjenerimin e hulumtimeve shkencore më cilësore në Kosovë. Ajo po ashtu vlerësoi se UP duhet të bëjë më shumë në përkrahje të projekteve hulumtuese si dhe të ndryshoj statutin ku roli i tij përkufizohet vetëm si institucion edukativo-arsimor, duke anashkaluar plotësisht komponentën e hulumtimit shkencor.

Mark Baskin, profesornë Universitetin Amerikan në Kosovë, theksoi faktin se edhe në vendet më të zhvilluara projektet hulumtuese shkencore nuk marrin shumë përkrahje për shkak të interferimit të interesave të caktuara politike. Ai po ashtu vlerësoi se tranzicioni demokratik në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, ka bërë që fatkeqësisht shumë arritje të kaluara akademike të harrohen dhe të lihen në hije. Në këtë pikë, ai u shpreh se depolitizimi i kërkimeve shkencore është hapi kyç drejt një hapësire të pavarur, inovative dhe shoqërisht të dobishme akademike.

Scientific Cafè IV: Rruga përpara: Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe gjendja e kërkimeve shkencore në UP, 31 mars 2016

Qendra për Kurajo Politike (CPC) në kuadër të programit për fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese në shkencat shoqërore në Kosovë, si dhe nxitjes së një dialogu të informuar në mes palëve të interesit, organizoi takimin e katërt të rradhës, “Scientific Cafè”. Ky takim në fokus të diskutimit kishte procesin e amandamentimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, si dhe ndikimin e këtij procesi në gjendjen e kërkimeve shkencore në Kosovë. E ftuar në cilësinë e folëses ishte znj. Drita Kadriu, Drejtoreshë e Departamentit për Arsimin e Lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës, ndërsa hapja informuese e diskutimit u bë nga profesori Arben Hajrullahu, nga Departamenti i Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës.

Znj. Drita Kadriu vlerësoi se procesi i amandamentimit të Ligjit përArsimin e Lartë paraqet një hap kyç dhe të domosdoshëm, të ndërmarrë në përpjekje për të ngritur cilësinë e Arsimit të Lartë dhe për të krijuar një hapërsirë inovative studimi e kërkimi në Kosovë. Përgjatë diskutimit, ajo shpalosi disa nga komponentat e reja më të rëndësishme të këtij ligji si ajo e: financimit të institucioneve të Arsimit të Lartë, e cila fokusohet në ngritjen e kapaciteteve të njësive akademike për përfitimin e projekteve dhe granteve ndërkombëtare; menaxhimit – duke ofruar një ndarje të qartë të kompetencave menaxheriale dhe zhvillimin e resurseve njerëzore; si dhe komponenta e tregut të punës, e cila synon harmonizimin e plan programeve mësimore konform nevojave dhe kërkesave të tregut të punës në Kosovë.

Për sa i përket komponentës së hulumtimit shkencor, u tha se amandamentimet ligjore synojnë zgjerimin e rolit dhe karakterit të institucioneve të Arsimit të Lartë, nga institucione thjeshtë mësimdhënëse, siç kanë qenë deri më tani, në institucione kërkimore shkencore. Po ashtu, u cek se ndryshimet e reja i ashpërsojnë kriteret për avancim akademik, duke kërkuar më shumë hulumtime dhe publikime kredibile shkencore nga stafi akademik. Gjatë diskutimit, u cilësua se institucionet e arsimit në Kosovë, por edhe shoqëria në përgjithësi, kanë mungesë të kulturës dhe traditës së hulumtimit të mirëfilltë shkencor, dhe se shumë më shumë përpjekje duhet të bëhen, duke filluar që nga ciklet e ulëta të shkollimit, në mënyrë që kjo gjendje të përmirësohet.

Ndryshim i rëndësishëm u cilësua edhe themelimi i Unionit të Studentëve, si një entitet i përbashkët punues për të gjitha organizatat studentore, i cili do të koncentrohet në sjelljen e risive akademike përmes projekteve ndërkombëtare, si dhe në përfaqësimin sa më të plotë e gjithë përfshirës të interesave të studentëve.

Në takim u diskutua poashtu edhe rreth Ligjit për Profesionet e Rregulluara, si një ligj i rëndësishëm për përcaktimin, mbrojtjen dhe garantimin e standardeve për ushtrimin e profesioneve të caktuara. Fillimisht, ky ligj do të pilotohet në tri fusha profesionale: në edukim, mjekësi, si dhe në profesionet teknike. Njëherit, u konsiderua se ky ligj do të shërbej edhe si barometer i shkallës së cilësisë së institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Scientific Café III: Si e imagjinon hulumtuesi i shkencave shoqërore Kosovën: përshtypjet amerikane, 9 nëntor 2015

Më 9 nëntor 2015, Qendra për Kurajo Politike (CPC) në kuadër të programit për fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese në shkencat shoqërore në Kosovë, si dhe nxitjes së një dialogu të informuar në mes palëve të interesit, organizoi takimin e tretë „Scientific Cafè”. I ftuar në këtë takim ishte Dr. Mark Baskin, Profesor i Hulumtimit në Qendrën për Studime të Politikave (Center for Policy Studies), Rockfeller College of Public Affairs and Policy, University at Albany, State University at New York dhe Ligjërues i Politikave Publike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në RIT/AUK (Universiteti Amerikan në Kosovë). Prezantimi i Dr. Baskin erdhi si rezultat i dekadave të hulumtimit dhe punës në Kosovë dhe gjithandej në Ballkan. Fokusi ishte në atë se si komuniteti ndërkombëtar, specifikisht hulumtimi i shkencave shoqërore ndërkombëtare e sheh Kosovën. Debati vazhdoi me studentët të cilët vinin nga fusha të ndryshme të studimit.

Dr Baskin e hapi fjalimin duke shprehur shpresën që Kosova së shpejti do të bëhet një vend ,,normal dhe i mërzitshëm” me theks të veçantë ndaj të huajve për skijimin, turizmin, partneritetin e mirë, një vend që është pjesë e Evropës dhe prej nga qytetarët e saj mund të udhëtojnë lirshëm dhe të kthehen ndaj një game të gjerë të mundësive. Ai përshkroi Kosovën bashkëkohore si shtet të vogël, multietnik që ka dalë nga një konflikt i vështirë, që së fundi ka fituar pavarësinë e saj dhe është në procesin e rikonstruktimit ekonomik dhe fuqizimin e demokracisë liberale.

Dr. Baskin shtoi se një hedhje sysh ndaj shumë publikime të financuara nga donatorët më të mëdhenj ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare priren të nxjerrin në shesh atë që Kosova vazhdon të jetë një ,,projekt” interesant për shumë fusha të zhvillimit ndërkombëtar. Shumë nga kjo punë siguron informacion të vlefshëm rreth zhvillimeve në Kosovë. Donatorët gjithashtu financojnë plane shpresëdhënëse për fuqizimin e zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, reformave administrative, decentralizimit, dhe shumë fusha tjera. Grupi Watchdogs, si International Crisis Group (Grupi i Krizave Ndërkombëtare), raportojnë rreth pikave kthyese aktuale në çështjet e Kosovës dhe udhëzime optimistike për të gjitha partitë rreth asaj se çfarë duhet të bëjnë bëjnë për të shënuar progres. Kjo punë ka qëllim të qartë rritjen e kapacitetit të Kosovës për t’u bërë ,,i zakonshëm ” në një kohë relativisht të shkurtër. Por kjo punë gjithashtu ,,imagjinon” Kosovën si një projekt të ,,jashtëzakonshëm” sesa një ,,vend i zakonshëm”, si diçka të thyer që duhet rregulluar.

Dr. Baskin më pas raportoi mbi një ,,test” të thjeshtë kualitativ që ai performoi për të eksploruar se çka mjetet e kërkimit akademik perëndimor gjejnë kur një përdorues shtyp ,,Kosovo” në mjetet e kërkimit rreth artikujve akademik për Kosovën si p.sh ,,EBSCO në University at Albany”, automatikisht gjeneroi kategoritë e mëposhtme sikur të ishin ,,normale”: Lufta e Kosovës; Pavarësia e Kosovës; Gjenocidi në Kosovë; Intervenimi në Kosovë; Konflikti në Kosovë; Konflikti i Kosovës 1998-1999; Kosova dhe Varfëria në Kosovë. Për dallim një hulumtim për Kroacinë gjeneroi automatikisht: Kroacia; kultura kroate; kroatët; historia kroate; turizmi kroat; ekonomia kroate emigrimi kroat; imigrimi kroat dhe katolicizmi kroat.

Një kërkim për ,,Politikën e Kosovës” solli deri 80 artikuj më shumë pothuajse ekskluzivisht për konfliktin dhe luftën. Një kërkim për ,,Kosovën dhe Mirëqenien Sociale” rezultoi me disa artikuj interesantë mbi cilësinë e ofrimit të shërbimeve, si dhe në profesionet e shëndetit dhe mirëqenies sociale. Por ajo gjithashtu gjeti punime rreth ,,trashëgimisë së luftës, mirëqenien dhe jetesën në zonat rurale të Kosovës”, ,,Qeverisjen Paralele dhe strategjitë (etnike) kufitare në Kosovë”, ,,Plani i Ahtisaarit nga pikëpamja e sigurisë njerëzore”. U gjetën shumë artikuj mbi aspektet e administrimit ndërkombëtar në Kosovë; në precedentin e Kosovës për hungarezët në Sllovaki, p.sh. mbi rolin e emigrantëve në hartimin e politikave dhe në stresin posttraumatik në Kosovë. Eksplorimi i mëtejshëm çoi në një hulumtim që eksploronte: kuptimin e sovranitetit, jashtëzakonshmëria e Kosovës, ,,ndërtimi i shtetit” në Kosovë dhe eksperimente në decentralizimin si një mjet të politikës për të adresuar ,,konfliktin etnik” të vështirë dhe Kosova si një laborator për eksperimente në ndërhyrjen ndërkombëtare.

Ai përmbledhi këtë kërkim modest cilësor që Kosova mbetet ,,interesante” si në mallkim, ,,jetofshi në kohë interesante”. Të gjithë artikujt ishin ,,praktik” dhe politikisht të orientuar në një mënyrë që kishte për qëllim të jetë kuptimplotë për organizatat ndërkombëtare dhe donatorët. Nuk kishte asgjë rreth folklorit, letërsisë, muzikologjisë ose kulturës së gjerë, edhe pse punime të tillë ka, në shikim të parë nuk u paraqit, se puna ishte e nxitur nga një agjendë krahasuese globale e shkencave shoqërore, në të cilën Kosova ishte një ,,rast” apo vendosur si një sërë fenomenesh që mund të jenë të frytshëm krahasuar me fenomene në vendet e tjera. Përjashtim nga ky përgjithësim ishte puna për luftën, konfliktin etnik, intervenimit, administrimit ndërkombëtar dhe përpjekjet për pajtim, të cilat tregojnë Kosovën si një ,,eksperiment interesant”. Për studentët, ai përafroi kuptimin nga eseja e mirënjohur e vitit 1977 e Vaclav Havelit, ,,Fuqia e të pafuqishmit” që shkencëtarët socialë në Kosovë duhet të ,,jetojnë në mënyë të durueshme” dhe ,,të shprehen lirshëm”, duke ndërtuar marrëdhënie me shkencat shoqërore botërore në të cilën Kosova nuk është më një ,,projekt” inxhinierik, si në cdo vend të vogël evropian dhe jo vetëm ato që gjenden në të ashtuquajturat ,,Ballkani Perëndimor”.

Ai pastaj rekomandoi që përveç kësaj pune që njeh situatën e Kosovës situatë të vazhdueshme ,,komplekse dhe e tensionuar”, që brezi i ri i shkencëtarëve socialë t’i kthehet punimeve që imagjinojnë Kosovën si një vend tipik, që përjeton shumë nga sfidat e njëjta të zhvillimit si në vendet në Evropën Perëndimore, Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë. Ai supozoi se Kosova nuk ka qenë ,,sui generis” dhe këshilloi studentët të trajnohen në metodologjinë sasiore dhe cilësore bashkëkohore të kërkimit dhe të fillojnë eksplorimin e vlerave në mënyrë të pajtueshme me ,,World Values Survey”; të ndërtuar mbi punën e mirë të bërë në politikat publike dhe të ofrimit të shërbimeve në një mënyrë që është krahasuese në mënyrë eksplicite për punën e bërë në vende të tjera; të shkruajnë në lidhje me klasat sociale dhe dallimet urbane-rurale; për të parë punën e përditshme të zhvillimit politik në parti, forcimin e kapaciteteve administrative, kapitalin social, si vetem disa nga fushat interesante të hulumtimit. Kjo gjithashtu do të jetë interesante për të lëvizur përtej ,,rastin e Kosovës” dhe për të fituar njohuri nga studimi i shkencave shoqërore në vende të tjera. Ai është në pritje të ditës kur kosovarët udhëtojnë për në SHBA për të studiuar SHBA-të në vend të Kosovës, të cilën gjë e bëri ai shumë vite më parë, kur studioi historinë e Kroacisë dhe Jugosllavisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Zagrebit.

Gjatë bisedës me studentë, u konkludua gjithashtu se Kosova ka shënuar progres substancial që nga viti 1999 dhe u theksua nevoja për fuqizimin edhe më shumë të kapaciteteve dhe idetë e pronësisë, duke përfshirë edhe problemet që lidhen me politikat publike. Sa më shumë që Universiteti i Prishtinës hapet ndaj botës për tu përfshirë me komunitetin global të hulumtimit të shkencave sociale, me anë të agjendës së saj, Kosova ,,interesante” mund ti prijë një Kosove ,,të zakonshme” dhe ,,normale” që sigurisht do të dalë në shesh. Mjetet e kërkimit perëndimor, të cilët portretizojnë llojin e punës që është duke u përfunduar rreth Kosovës (duke përfshirë, me shpresë punën nga akademikët kosovarë), do vijë duke lëvizur përtej krizës ,,interesante” në bërjen e politikave që është aktualisht në linjë.

Scientific Café II: Studimi, mësimdhënia dhe kryerja e kërkimeve në Universitetin e Prishtinës ,,Hasan Prishtina”, 3 qershor 2015

Në kuadër të dialogut politik për fuqizimin e shkencave sociale në Kosovë, CPC më 3 qershor 2015, e organizoi takimin e dytë ,,Scientific Café”. Diskutimi i këtij takimi u fokusua në gjendjen e studimit, mësimdhënies dhe kryerjes së hulumtimeve në Universitetin e Prishtinës ,,Hasan Prishtina” (UP). Fjalën hyrëse e mbajtën Arben Hajrullahu dhe Adem Beha nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Gëzim Selaci nga Departamenti i Sociologjisë. Debati vazhdoi me pjesëmarrjen aktive të studentëve nga fakultete dhe fusha të ndryshme të studimeve.

Takimi filloi me diskutimin e transformimit të rolit të përgjithshëm që kanë universitetet në shoqëritë bashkëkohore, duke u fokusuar në sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballen UP-ja dhe akademikët kosovarë si pjesë e këtij procesi transformues. Është vlerësuar se studimi, mësimdhënia dhe kryerja e kërkimeve shkencore në UP është njollosur me vështirësi dhe probleme, veçanërisht nga mungesa e sigurimit cilësor dhe mungesa e shkëmbimit dhe konkurrencës me të arriturat më të fundit shkencore në botën e jashtme akademike.

Një tjetër problem thelbësor i identifikuar gjatë diskutimit ishte problemi i mbingarkesës së stafit akademik të UP-së me kërkesat dhe obligimet e mësimdhënies, gjë që zvogëlon fokusin e tyre në kërkimin shkencor. Diskutuesit vunë në dukje, në veçanti, se politika e UP-së për kontraktimin e stafit akademik vetëm në cilësinë e tyre si mësues, por kushtëzimi i avancimit të tyre akademik bazuar në publikime dhe kërkime shkencore është kontradiktore. Për më tepër, fusha e arsimit të lartë në Kosovë konsiderohej e izoluar nga bota e jashtme për sa i përket shkëmbimit të ideve, stafit akademik dhe studentëve, gjë që më pas reflekton në mungesën e cilësisë së studimeve, hulumtimeve dhe mësimdhënies.

Studentët të cilët morën pjesë në takim shprehën shqetësime të shumta lidhur me përvojat e tyre me studimet në UP. Disa nga këto shqetësime përfshinin numrin e madh të studentëve, mungesën e përgatitjes praktike, mospërputhjen e programeve akademike me nevojat e tregut të punës, moszbatimin e reformave, kurrikulat e vjetruara, mungesën e laboratorëve dhe literaturës bashkëkohore si dhe ndërveprimin dhe debatin akademik të pazhvilluar brenda universiteti.

Të pranishmit ranë dakord se nxitja e konkurrencës akademike, rritja e transparencës në administratë dhe kërkime shkencore si dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës ndaj studentëve dhe taksapaguesve në përgjithësi, përbëjnë disa nga hapat fillestarë, të domosdoshëm që duhet të ndërmerren në funksion të UP-së, por edhe të tjerë më të lartë. institucionet arsimore në Kosovë, për të përmbushur rolin e tyre në shoqëri.

 

 

Scientific Cafè I: Sfidat e studiuesve nga Kosova në përfundimin e studimeve jashtë vendit, 16 prill 2015

Më 16 prill 2015, në kuadër të programit për fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese të shkencave sociale në Kosovë, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi takimin “Scientific Cafè I”. Takimi  kishte për qëllim që problemet dhe sfidat e hulumtuesve të rinj e senior si dhe të të gjithë komunitetit akademik të Kosovës t’i adresojë përmes diskutimeve joformale. Folësit të cilët e ndanë përvojën e tyre si studiues jashtë vendit me një grup studentësh të interesuar nga fusha e shkencave shoqërore ishin: Pëllumb Kelmendi (Kandidat për Doktoraturë në Brown University SHBA), Avni Bytyqi (MA, Syracuse University, ShBA), Kushtrim Palushi (LL.M., University of Notre Dame, SHBA), Dafina Bucaj (LL.M., University of Cambridge, Mbretëri e Bashkuar) dhe Visar Ramaj (LL.M., Georgetown University, SHBA).

Diskutimi u fokusua në sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen studentët kosovarë, duke vazhduar me procedurat e aplikimit për studime jashtë vendit. Kështu, folësit e ngritën çështjen e një sistemi arsimor kosovar të mangët, i cili lë shumë për të dëshiruar kur është fjala për krijimin e shkathtësive të të menduarit, lexuarit e shkruarit kritik dhe refkektues, që janë edhe qëllimi i vërtetë i studimeve universitare. Për më tepër u theksua se këto shkathtësi janë kyçe për të arritur regjistrimin dhe përfundimin e një programi studimi, qoftë në sistemin arsimor amerikan apo në atë evropiano-perendimor.

Studentët të cilët ishin kthyer nga studimet jashtë vendit adresuan kritika se sistemi aktual i studimeve në Kosovë është duke promovuar një etikë të ulët të punës e cila nuk i aftëson studentët në masë të duhur për të hulumtuar në mënyrë të pavarur dhe kritike. Sipas folësve dhe pjesëmarrësve është shumë e rëndësishme që koncepti i studimeve në Kosovë të orientohet kah aftësimi dhe ndërtimi i shkathësive të studentëve dhe jo vetëm pajisja e tyre me njohuri rreth fakteve apo zhvillimeve nëpër fusha të ndryshme. Sipas tyre ky orientim do ta ngriste nivelin e përgatitjes akademike të studentëve e i cili do të rezultonte me zhvillim të gjithëmbarshëm të vendit.

Në këtë kontekst, folësit, duke ndarë përvojat personale, përshkruan se si studimet jashtë vendit i kanë ndihmuar në ngritjen profesionale dhe personale, ku edhe i ofruan studentëve të tjerë të pranishëm ndihmën dhe këshilla praktike mbi procedurat dhe kërkesat e plotësimit të aplikacioneve për përfitimin e bursave studimore të ndryshme si dhe mbi përgatitjen për testet e nevojshme.

Gjatë diskutimit, studentët u inkurajuan që të jenë pjesë e sa më shumë aktiviteteve jashtë-kurrikulore, si vlerë e shtuar e përgatitjes së tyre akademike e profesionale si dhe të kontaktojnë pa hezitim e të rrjetëzohen me studiuesit kosovarë nëpër universitetet e huaja. Theks i veçantë iu kushtua edhe fazës së përcaktimit për një specializim profesional, si një zgjedhje që duhet të frymëzohet pikë së pari nga kurreshtja profesionale akademike, por duke pasur parasysh po ashtu edhe nevojat e kërkesat e tregut kosovar të punës.

Në këtë pikë, folësit cilësuan se shpesh, pas përfundimit të studimeve në një ambient të huaj akademik, kthimi dhe integrimi në shoqërinë kosovare dhe në jetën e saj publike nuk është aspak i lehtë. Kjo për shkak të korrupsionit të lartë, sistemit jomeritokratik dhe klientelist që e përcjell sferën publike kosovare. Por, po ashtu u theksua se përfundimi i një programi studimi jashtë vendit mund të shërbejë si një katapultim i rëndësishëm në ndërtimin e një karriere profesionale akademike. Në diskutim gjithashtu u theksua se studiuesit për të ofruar kontributin e tyre jodomosdoshmërisht duhet të kthehen të jetojnë dhe veprojnë në vend. Ata mund të ofrojnë një kontribut të madh gjithashtu duke krijuar bashkëpunime mes institucioneve të jashtme ku veprojnë me institucionet e Kosovës, si p.sh. programe shkëmbimi mes profesorëve, hulumtuesve apo studenteve.

Studentët e kyçur në diskutim shprehën shqetësimin se shpesh studiuesit që kthehen në Kosovë pas përfundimit të një programi në universitete të huaja dhe bëhen pjesë e kuadrove vendore akademike nuk arrinë të transmetojnë të gjithë potencialin dhe ekspertizën e tyre profesionale tek studentët, kjo shpeshherë për shkak të angazhmit të tyre në disa njësi akademike apo edhe në jetën politike në vend. Kjo çështje u konsiderua si pjesë e problemeve më të thella strukturore me të cilat përballet sistemi arsimor Kosovë.

 

Konferencë: Kërkimi dhe zhvillimi në Kosovë: Quo vadis?, 17 dhjetor 2014

Si vazhdim i aktiviteteve të saj në lidhje me avancimin e kërkimit në Republikën e Kosovës, CPC organizoi konferencën me titull ,,Kërkimi dhe zhvillimi në Kosovë: Quo vadis?”, mbajtur më 17 dhjetor 2014 në Hotel Sirius në Prishtinë.

Qëllimi i konferencës ishte të ofrojë një forum për të diskutuar zhvillimet e fundit, sfidat dhe progresin e arritur në fushën e kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë në Kosovë. Objektivat e konferencës përfshinin sa vijon:

  1. Të paraqesim dy analiza që CPC ka publikuar së fundi: ,,Strategjia për veprimtaritë kërkimore-zhvilluese shkencore/artistike 2013-2016 dhe ndikimi i saj në punën e instituteve kërkimore në Universitetin e Prishtinës” dhe ,,Analizë mbi Programin Kombëtar të Shkencës të Republikës. të Kosovës”;
  2. Të lehtësojë më tej diskutimin ndërmjet palëve kryesore të interesuara mbi sfidat dhe planet e veprimit për avancimin e kapaciteteve dhe politikave kërkimore në lidhje me shkencat sociale në Kosovë;
  3. Të mbrojë integrimin e etikës në akademi dhe kërkime dhe të forcojë më tej ndërgjegjësimin e publikut të përgjithshëm mbi rëndësinë dhe rolin e shkencave sociale.

Konferenca ,,Kërkimi dhe zhvillimi në Kosovë: Quo vadis?” mblodhi së bashku përfaqësues kryesorë nga komuniteti hulumtues dhe akademik, politikëbërës dhe anëtarë të institutive kërkimore që veprojnë në Kosovë. Qëllimi kryesor i konferencës ishte reflektimi mbi zhvillimet aktuale, sfidat dhe nivelin e progresit të arritur në kërkimin shkencor dhe reformat e arsimit të lartë.

Në panelin ,,Hulumtimi në shkencat shoqërore–rruga përpara” u diskutua për kornizën ligjore që rregullon kërkimin shkencor, infrastrukturën dhe buxhetin në Kosovë; marrëdhëniet ndërmjet demokracisë dhe kërkimit shkencor; dhe marrëdhëniet ndërmjet shkencës dhe aftësisë së saj për të trajtuar sfidat bashkëkohore.

Diskutimi në panelin ,,Etika në akademi dhe kërkimi-rruga përpara” përfshiu rolin e etikës në kërkimin akademik; integriteti akademik; dhe lirinë akademike.

Në panelin me temë ,,Ndikimi i kërkimit te politikëbërësit, rruga përpara” u diskutua për ndërlidhjen e kërkimit akademik dhe vendimmarrjes së informuar; ndarja e fondeve shtetërore për kërkime dhe ciklin e politikëbërjes në Kosovë.